E Shtunë, 31 Tetor 2026

FT: Ballkani në BE, rruga më e mirë

LONDER-Gazeta prestigjoze Britanike"Financial Times", në një shkrim në numrin e saj të sotshëm rendit arësyet se pse BE-ja duhet të hapë dyert për Ballkanin. Në shkrim theksohet se. përhapja e stabilitetit demokratik dhe përparimit ekonomik duhet të jetë në thelb të ekzistencës së Bashkimit Evropian dhe shpejtësia e zgjerimit me Bashkimin Evropian nuk është gjëja më e keqe për Brukselin. Po, përse është kaq e rëndësishme?
Arsyet nuk janë thjesht morale. Arsyet janë shumë më konkrete. Ballkani Perëndimor është brenda kufijve lindorë të BE-së. Me gjithë koston e lartë financiare dhe politike që ka ndihma për zhvillimin ekonomik e demokratik të rajonit, BE-ja së bashku me aleatët e saj po përpiqen t’i vënë një çati politike Ballkanit.

Suksesi duket, por nuk është në shkallën e duhur, vetëm sa mban në kontroll konflikte të ngrira. Rajoni që është i përzier etnikisht dhe nga pikëpamja fetare, nuk bën pjesë natyrshëm në mozaikun e shteteve - kombe. Ky konfiguracion mbetet i vërtetë dhe pas lëvizjeve të popullsive gjatë luftërave civile të viteve ’90. Në shkrim theksohet se,
Rajoni ka nevojë për ombrellën shumetnike të anëtarësimit në BE. Pavarësisht dërgimit të shumë burimeve politike e ekonomike të kushtueshme, Bashkimi Evropian nuk ka armë më të mirë në rajon sesa perspektivën e qartë për anëtarësim. 

Problemet e Bosnjes dhe Kosovës janë një tjetër arësye pse BE duhet ti ketë ato sa më pranë, “Ashtu si janë gjërat aktualisht, prania evropiane në rajon, me mbikëqyrjen e protektorateve siç janë Bosnja e Kosova, nuk është e suksesshme. Ka probleme për sjelljen së bashku në të njëjtën rrugë të këtyre shteteve problematike. Por, edhe tani që këto shtete nuk janë anëtare, problemet e tyre janë edhe të Bashkimit Evropian.”

Nga ana tjetër, ekziston rreziku real i përkeqësimit të gjendjes. Raport - progresi gjysmë optimist i Brukselit për vendet e rajonit duhet të shërbejë si shtytje përpara drejt anëtarësimit të rajonit në Union, përpara se të përballemi me një cikël të ri dhune dhe ballkanizimi. “Bashkimi Evropian duhet të përdorë anëtarësimin si çelës për vendet e rajonit që t’i përmbushin kushtet, që përfshijnë nga lufta kundër korrupsionit deri te dorëzimi i të akuzuarve për krime lufte, si Ratko Mlladiq. Por, pas dështimit të viteve ’90, BE-ja ka mundësinë t’i japë fund delirit të Serbisë së madhe apo iluzionit të Shqipërisë së madhe”, shkruhet në "Financial Times".
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›