E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët peticion kundër EULEX-it

BEOGRAD- Një delegacion i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave të Kosovës, i ka dorëzuar të premten presidentit të Serbisë, Boris Tadic, një peticion me më tepër se 48 mijë nënshkrime, me të cilin serbët e Kosovës kërkojnë largimin e misionit EULEX nga Kosova. Serbët përmes kësaj letre kërkojnë largimin e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX dhe kthimin e kompetencave tek UNMIK-u. Peticioni i është dorëzuar edhe ambasadorit rus në Beograd.
Nënkryetari i këtij “kuvendi”, Marko Jakshiç, i ka thënë agjencisë serbe B92 se EULEX-i nuk i përket Kosovës, sepse ky mision nuk ishte neutral.

Sipas tij, qëllimi i misionit është që të realizojë shtetin shqiptar. “Gjatë këtij viti kemi pasur rast të shohim se EULEX-i as nuk është neutral ndaj statusit, as nuk është duke u përpjekur për të zbatuar planin gjashtëpikësh. Ai shërben thjesht si një instrument për arritjen e qëllimeve kombëtare dhe shtetit shqiptar”, ka thënë Jakshiç.

Ai ka shtuar se presidenti Tadiç ka bërë gabim të madh duke e lejuar EULEX-in të vendoset në Kosovë, duke e ditur se “ky mision vinte nën Planin e Ahtisaarit, për t'ua dhënë shqiptarëve një shtet tjetër”.

Por ai ka thënë se është njerëzore të bëhen gabime dhe ka shfaqur shpresën se ky peticion do t'i japë presidentit Tadiç rast për të korrigjuar gabimin e tij, duke i dhënë misionit të BE-së “urdhër për largim”.

Jakshiç shpreson se peticioni do t’i dorëzohet në dorë edhe presidentit të Rusisë, Medvedev. Sipas tij, Federata Ruse është më konsistente dhe parimore në përpjekjen për të mbrojtur dhe mbajtur Kosovën brenda Serbisë. “Rusia është një vend i madh dhe ka të drejtë të vetos në Këshillin e Sigurimit. Unë personalisht mendoj se mund të jetë ndihmë e madhe në zbulimin vërtetën reale pas punës së këtij misioni", ka thënë Jakshiç, për B92.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›