E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Situata ekonomike, shpërthyese

ATHINË-Kryeministri i sapozgjedhur i Greqisë, George Papandreu deklaroi sot se situata ekonomike në vend ishte "shpërthyese" dhe kërkoi reduktimin e shpenzimeve me qëllim mbylljen e gropave të mëdha të buxhetit.
Papandreu, partia e të cilit PASOK fitoi zgjedhjet e 4 tetorit me premtimin për rritjen e taksave ndaj të pasurve për të mbështetur shtresat e varfëra si dhe për një paketë stimuluese për ekonominë, deklaroi se rikthimi i kredibilitetit të Greqisë ishte një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij. "Populli na besoi për ta qeverisur në momentet më të vështira në historinë e Greqisë", deklaroi ai gjatë prezantimit të programit të qeverisë në parlament, para votëbesimit që pritet të zhvillohet të dielën.
"Situata e ekonomisë sonë është shpërthyese", theksoi ai. E rënduar nga një defiçit i madh buxhetor, i dyti në zonën euro pas Italisë, Greqia ka njohur një rënie drastike të ekonomisë pas vitesh rritjeje të vazhdueshme, e shoqëruar me rritje të papunësisë dhe trazira sociale në qendrat më të mëdha urbane të vendit.
Papandreu tha se do të mbante premtimet parazgjedhore për rritje të pagave dhe frenim të rritjes së çmimeve në vitin 2010, por ndërkohë bëri të qartë se reduktimi i shpenzimeve është një masë e pashmangshme. Me një shumicë komforte prej 160 vendesh në parlamentin me 300 anëtarë, Papandreu është i sigurtë në fitoren e votëbesimit të dielën.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›