E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani, në dilemë mes Eto‘o dhe Xheko

Po bëhet gjithnjë e më intrigante merkatoja e Milanit. Pas dështimit të çështjes "Sisiko" (sipas Adriano Galianit: "Nuk kemi gjetur një marrëveshje ekonomike me Porton dhe tratativat kanë dështuar") dhe insistimit të vazhdueshëm për sulmuesin boshnjak të Volfsburgut, Edin Xheko, në ambientet e kuqezinjve po qarkullon një emër i përfolur për t‘u marrë nga kjo skuadër edhe në sezonet e kaluara, por që këtë herë duket shumë më pranë milanezëve: Samuel Eto‘o. Sipas të përditshmes katalanase, "Sport", ideja e kamerunezit është hedhur nga konsulenti i merkatos së kuqezinjve, Ernesto Bronzeti, i cili kishte pasur mundësinë të takonte drejtuesin blaugran, Txiki Beguiristain, për t‘u njohur me kërkesat ekonomike të klubit të Johan Laporta. Eto‘o mund të jetë pjesë e skenarit të Milanit, pasi klubi i rrugës "Turati", pas shitjes së Kakanë, kërkon ta zëvendësojë me një tjetër emër të madh. Po këtë operacion e vështirësojnë sterlinat e Mançester Sitit. Drejtuesi Khaldoon Al Mubarak, për të siguruar blerjen e Eto‘o, i ka bërë Barcelonës një ofertë prej 32 milionë eurosh. Kjo e fundin po reflekton rreth kësaj tratative joshëse. Për lojtarin është gati një rrogë prej më shumë se 12 milionë eurosh në vit. Nga Anglia vijnë edhe zëra se Milani vazhdon të kërkojë edhe Adebajorin. Por në rast se italianët do të dështojnë për marrjen e Eto‘o-së, pista më e realizueshme do të ishte afrimi i golashënuesit të Volfsburgut, boshnjakut Edi Xheko.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›