E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uimbëlldon, hije ndeshjesh të trukuara

Raketa të pista, madhe shumë të pista. Të gatshme për të shitur e trukuar një ndeshje edhe në turne të rëndësishëm, si Uimbëlldon. Bari më i çmuar i Britanisë së Madhe rrezikon të shkatërrohet këtë vit jo nga shiu, por nga një tornado bastesh të trukuara apo ndeshjesh të dyshuara. Alarmi, i dhënë dje nga "Independent", tri ditë para nisjes së turneut, vjen direkt nga autoritetet sportive, përfshi ATP, organin që qeveris këtë sport. Deri në 12 atletë janë futur në një "listë të zezë dhe do të mbahen nën një monitorim të rreptë nga hetuesit. Bëhet fjalë për tenistë rusë, spanjollë, argjentinas, por edhe italianë, shumë prej të cilëve renditen në mesin e 50 të parëve të klasifikimit botëror. Emra që janë përfshirë në të kaluarën në ndeshje të dyshuara, të lidhur me lëvizje të çuditshme të basteve, në mënyrë të dukshme në favor të "outsider"-ëve të radhës. Një burim më se i kualifikuar i hetimeve, i cituar nga e përditshmja angleze, shpjegon: "Do të ishte qesharake të mendosh se, me gjithë atë para që lëvrohet, nuk ekzistokan parregullsi. Tenistët kontaktohen në mënyrë frekuente për të shitur ndeshjet e tyre. U takon atyre që të thonë jo, ose të pranojnë". Bëhet fjalë pikërisht për një kupolë mafioze të tenisit, i cila ka si pikë referimi dy vende, sikurse deklaron raporti i muajit maj 2008, i bërë nga "Tennis Integrity Unit" (TIU, ose skuadra që ka për objektiv të mbajë të pastër tenisin). Këto dy vende, që deri tani kishin mbetur anonime, janë Italia e Rusia. Që nga këto dy vende janë vënë shuma të dyshimta nga 27 bastexhinj të mëdhenj të "Betfair", shoqërisë më të madhe të basteve "on-line" në botë, që e ka qendrën në Londër. Dyshimet e deritanishme kanë rënë mbi 45 takime, thekson ATP-ja. Ndeshja më e dyshuar është ajo mes austriakut Daniel Kollerer dhe spanjollit Oskar Hernandez (fituesit) të hënën e kaluar në Holanda Open. Një burrë me kombësi ruse u arrestua mes spektatorëve, ndërsa po vinte bast "on-line".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›