E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabio Kapelo ëndërron Olimpiadën në stolin britanik

Trajneri bën bilancin e 365 ditëve në stolin e Anglisë dhe tregon synimin për në lojërat olimpike

12 muaj. Kaq i kanë mjaftuar Fabio Kapelos për të bërë për vete edhe skeptikët më të mëdhenj, përtej ngushticës së Lë Manshit. 12 muaj, gjatë të cilëve nuk kanë mungur kritikat e ashpra dhe polemikat shpeshherë të shpikura. Ka pasur edhe fjalë trishtuese në faqet e shtypit anglez, por para trajnerit të lindur në Pieris të gjithë përulen, herët apo vonë. Ai jep një përgjigje të vetme, ajo që vlen mbi gjithçka: rezultatet në fushën e lojës. Rezultatet e Anglisë së tij flasin për katër fitore në po aq eliminatore të luajtura për Kupën e Botës 2010. Mes këtyre sukseseve ka qenë edhe "mrekullia" e Zabrebit, kur dyshja Uolkot-Runi e fundosi Kroacinë me rezultatin 4-1. Kroacia, vetëm një vit më parë nuk ua hoqi mundësinë "luanëve" të merrnin pjesë në europian dhe vulosi largimin e trajnerit Stiv MekLaren, i zëvendësuar nga Kapelo.

PERVJETORI - "Don Fabio" ka zgjedhur një buletin të FIFA-s, për të treguar 365 ditët e tij në timonin e kombëtares angleze. Një intervistë e gjatë, në të cilën trajneri italian ka trajtuar disa tema, si shpirti latin që duhet futur tek anglezët, dëshira e tij për të drejtuar ekipin olimpik në "Londër 2012", si dhe dera që vazhdon të mbetet e hapur për Majkëll Ouenin dhe Devid Bekhamin. Kapelo e nis rrëfimin duke treguar se mund të ishte bërë trajner i Anglisë edhe tetë vjet më parë. "Në vitin 2000 Hauard Uilkinson më pyeti, nëse isha i interesuar për të drejtuar kombëtaren angleze, por ata zgjodhën Eriksonin. Gjithsesi, mendoj se nuk do të kishte qenë momenti i duhur. Tani jam më i plakur dhe i vendosur ta ndihmoj Anglinë që të rikthehet te shpirti luftarak që e karakterizon. Futbolli është një kulturë e thellë në këtë vend dhe duhet trajtuar si e tillë. Ndyshimet nuk janë të lehta, por ndonjëherë mund të sjellin edhe dëme."

ENDRRAT - Trajneri i Milanit, Romës, Juventusit dhe Realit të Madridit kishte ende dy ëndrra profesionale. E para u realizua, dhe tani ai është trajneri i Anglisë, ndërsa e dyta është një synim për të ardhmen. Kapelo synon të bëhet trajneri i skuadrës britanike që do të marrë pjesë në lojërat olimpike "Londër" 2010. "Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në olimpiadë; ky është zhgënjimi më i madh i karrierës sime. Por po ta arrija në moshën 66-vjeçare, do të ishte diçka e shkëlqyer. Përsa i përket kombëtares, e kam ëndërruar që i vogël, sepse anglezët kanë qenë gjithmonë ikona e këtij sporti. Nuk dua t'ua ndryshoj karakteristikat futbollistëve të mi, por thjesht t'u transmetoj atyre pak nga shpirti latin. Latinët kanë dominuar futbollin modern." Mes të rejave që Kapelo ka sjellë te "luanët" është edhe mënyra e të ushqyerit. "I kam dhënë përparësi dietës mesdhetare, në vend të patatinave. Kam vënë edhe disa rregulla nësjellje. Tani hamë mëngjes të gjithë së bashku dhe celularët janë gjithmonë të fikur. Kam gjetur një frymë bashkëpunimi te futbollistët dhe te zbatimi i detyrave që u kam dhënë. Kjo është prova e nivelit të lartë të profesionalizmit që kanë futbollistët dhe klubet angleze. Shikojeni Arsenalin, është shembulli më perfekt se si duhen trajtuar talentet e futbollit botëror."

ZGJEDHJET - Në lidhje me zgjedhjet teknike, Kapelo ia ka lënë derën hapur Devid Bekhamit dhe, mbi të gjitha Majkëll Ouenit, i cili nuk është grumbulluar në asnjë eliminatore dhe anglezët mendojnë se karriera e tij me kombëtaren ka mbaruar. "Detyra ime është të grumbulloj vetëm futbollistë që janë në formë, si Bekhami, me të cilin kam punuar një vit te Reali, por edhe Oueni. Janë profesionistë të shkëlqyer dhe e dinë mirë se ç'duhet të bëjnë për të qenë pjesë e kombëtares. Që të dy mund të kenë një rol shumë të rëndësishëm për Anglinë. Unë nuk ia mbyll derën askujt; thjesht, grumbulloj futbollistët që më duken në formë." Me fjalë të tjera, për miqësoren e javës së ardhshme ndaj Gjermanisë, prania e dy emrave të famshëm është për t'u përjashtuar si mundësi. Bekham nuk po luan në kampionatin amerikan, ndërsa Oueni nuk është ende në formën ideale me Njukasëllin. Kapelo e mbyll intervistën e tij "duke thumbuar" Italinë. "Në Itali bazohet gjithçka te taktika ose rezultati; në Spanjë përqendrohen te teknika dhe ritmi i lartë, ndërsa Anglia është e bazuar te forca dhe te loja "non-stop". Por ka edhe ndryshime të tjera të dukshme. Në Angli ka shumë pasion, por edhe siguri. Në Spanjë, e diela në stadium është festë për gjithë familjen, ndërsa në Itali stadiumet të terrorizojnë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›