E Shtunë, 31 Tetor 2026

Szymborska dhe panairet

Takimi i lexuesit shqiptar me autorët e gjallë të letërsisë botërore mbetet një iluzion, kurse Tirana, vendi jo fatlum. Në ditën e hapjes së panairit të librit, një dedikim për nobelisten polake Wislawa Szymborska, në përkthimin e ekonomistit Petrit Dollani

Jemi në kërkim të autorëve, thanë botuesit organizatorë të panairit të librit i cili hapet pikërisht sot në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve. Pyetja ishte përse përkushtimi për ngjarjen e përvitshme shkon i gjithi në infrastrukturë, kurse përmbajtja, takimi me librin (jo si akt shit-blerjeje) dhe autorët (jo si akt shitmendjeje) mbetet detyrë e fundit. Dikush e shpjegoi këtë situatë me gjendjen akoma pirate të editorisë shqiptare që s’mund të ftojë shkrimtarë të huaj që “ua punojnë pas krahëve” dhe pastaj t’i shohin në sy.

Janë vetëm dy autorët në zë që kanë ardhur ndonjëherë në Tiranë në këtë 20-vjeçar. Susan Sontag (kaloi në kohën e konfliktit bosnjak) për të cilën, ata dy njerëz të kulturës që patën fatin të pinin kafe tek Akademia, nuk shkruan as dy radhë pas vdekjes së kësaj mendjeje inteligjente. Tjetri ishte Tomas Transtromer. Tiranasve u bëri përshtypje si është e mundur një burrë kaq i hollë në ato që shkruan, ecën mes njerëzve në karrigen me rrota dhe për më tepër, emrin e ka prej vitesh në listën e ngushtë të kandidatëve për Nobel.

Në shqip janë përkthyer vitet e fundit Toni Morrison, Seamus Heaney, J.M. Coetzee, Vargas Llosa, Jose Saramago, nobelistë dhe të gjallë aktivë, apo të lakuarit e fundit nga gjuha frënge, Amelie Nothombe dhe Michel Houellebecq. Umberto Ecco po vjen gati i plotë me vepër. Kështu që asnjë shenjë dhe përpjekje nuk është bërë e ditur nga botuesit e këtyre dhe të tjerë autorëve, as që të jenë takuar dhe as që të kenë këmbyer ndonjë letër me agjentët e tyre letrarë. Përjashtohen dështimet për prurjen në Shqipëri të Orhan Pamukut apo të Paolo Coelho-s.

Panairi i madh i librit në Tiranë që duhej të ishte vendi ku interneti, enciklopeditë apo libraritë numerike nuk hyjnë më në punë, me fluksin e paraqitjes së veprave të reja pa kritere përzgjedhjeje në konferenca shtypi dhe koktejle, kthehet në vendin ku prodhohet një terror informativ. Në prag të çeljes së panairit, emri i Wislawa Szymborska-s (1923) është çlirim nga spazma e vullnetshme e botuesit shqiptar “i vënë në kërkim të autorëve”.

Ajo ka mbetur jashtë kësaj “hapsanaje”.

Përse të mos e hapim ditën e panairit me një dedikim për poeten polake, jo vetëm se nuk është kujtuar ndonjëherë por është edhe Petrit Dollani që na çon drejt saj pa bërë zë, me përkthimin e dy poezive të fundit “ABC” dhe “Profesori i vjetër”.

Një libërth, përmbledhje poetike e saj, u botua në shqipe një vit pasi Szymborska mori Nobelin (1996). Gruaja vazhdon të shkruajë dhe të bëjë jetë të tërhequr. Në foto ajo shfaqet me cigare (në foto më të hershme) përpara filxhanit të çajit në një ambient kuzhine apo me portretin e saj pak të mënjanuar me një dorë të futur nën xhaketë sikur të ngrohë mendimet që i zbret në gji.

Përveç të parit libër me poezi përkthime të prof. dr Qevqep Kambo, ka një njeri tjetër që s’është as poet, as përkthyes profesionist, dhe që herë pas here, si të ishte i tillë qëmton dhe sjell vargje nga Szymborska. Dollani përkthen pak, njëlloj si e zonja që shkruan pak, flet edhe më pak. Raportin që ka ruajtur me botën, me dukjen dhe refuzimin për t’i ardhur publikut pas avazit, ajo e kishte shpjeguar në fjalën “Poeti dhe bota” që mbajti para Akademisë së Nobelit: “Në vende më fatlume, ku dinjiteti njerëzor nuk poshtërohet kaq lehtë, poetët janë të etur, sigurisht për t’u botuar, lexuar, dhe kuptuar, por ata bëjnë pak, për të mos thënë aspak, që ta vendosin veten mbi turmat vulgare dhe bluarjen e përditshmërisë. Dhe akoma, jo shumë larg nga sot, në dekadat e para të këtij shekulli, poetët u orvatën të na trondisin me veshjen e tyre ekstravagante dhe sjelljen e tyre eksentrike. Por thuajse e gjitha kjo ndodhte për hir të dukjes në publik.”

Dy poezitë e mësipërme e kanë intriguar Dollanin, sepse ato japin një atmosferë që i kujtojnë situatën e para disa kohëve të zgjedhjeve në fakultete, me skenat dhe prapaskenat. Aty shfaqet Szymborska që ai njeh dhe të cilës i ka përkthyer në shqipe një cikël tjetër i botuar nga revista “Aleph” më 2003. “Është karakteristikë e saj që nga një abstraksion kalon në mënyrë të rrufeshme në detaje reale. Për gjërat e mëdha flet thjesht dhe shqetësimi i saj mbeten pyetjet Ç’është jeta, ç’është njeriu. Dhe këtë e bën me një ton kritik, të qetë. Njeriu largohet prej poezisë së saj me ndjenjat pozitive, që jeta ka kuptim. Kjo duhet të jetë një nga arsyet që e kam përkthyer dhe unë.”

Petriti konfirmon me fjalë të vetat atë që Szymborska e shpreh kështu: Çfarëdoqoftë inspirimi, ai është lindur nga një “nuk e di” e vazhdueshme.

Tek “ABC” thotë: Kurrë nuk do ta mësoj/se ç’mendonte për mua A./ Nëse B. më fali me të vërtetë./ Përse C. bëri sikur gjoja/ çdo gjë ishte në rregull./ Ç’rol kishte D. në heshtjen e E./ Ç’priste F., nëse priste diçka./ Pse G. shtirej, ndonëse dinte gjithçka./ Çfarë kishte H. për të fshehur./ Ç’donte të shtonte I./ Fakti që isha pranë, a kishte rëndësi/ për J., për K. dhe pjesën tjetër të alfabetit?

Për përkthyesen e letërsisë shqipe në gjuhën polake, Dorota Horodyska, përkthimet e Petrit Dollanit “megjithëse nuk është përkthyes i mirëfilltë, janë të mrekullueshme!”

Pedagogu i Departamentit të Menaxhimit në Fakultetin Ekonomik, u kthye 4 vjet para nga Polonia në Shqipëri me diplomat për Financë e Sistem Bankar dhe për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Kishte studiuar 1 vit gjuhë polake në Lodz, kreu 5 vjet studime në Shkollën Ekonomike të Varshavës dhe 4 vjet punoi në filialin polak të kompanisë “Peugeot”.

Si shumë polakë dhe ai nuk e kishte njohur Szymborska-n deri në momentin e akordimit të Nobelit. Petriti tregon se “në vitin 96 nuk kishte libër të saj në treg. Njerëzit pyesnin kush ishte Szymborska, disa thoshin ajo që ka bërë tekstin e këngës së famshme “Asgjë dy herë”. Ndërsa shtypshkronjat gjithë natës kanë punuar për të hedhur diçka në qarkullim. Botuesit ishin në shok. Kjo ndodhi se tregu i letërsisë, pavarësisht se letërsia polake është e bollshme me autorë – me Nobel qysh më 1905, Henryk Sienkiewicz, dhe dy të tjerë më pas – është komercializuar nga botuesit. Kështu suedezët, që e kanë përkthyer shumë mirë, zbuluan atëhere një yll”.

Në sytë e Petritit ajo është gruaja me buzëqeshjen tipike që rrezaton mirësi, që flet pak, por në poezi “ruan një ndjenjë humori ndaj zemërligësisë që e shikon si një ndër vogëlsirat e jetës në raport me tërësinë e gjërave.”

Është po aq intelektuale që kur mendohej se e ka mbyllur me poezinë - që nga viti 1952 deri më 1993 ajo kishte botuar nëntë vëllime modeste, por shumë cilësore - “u zbulua që s’ishte e politizuar, as letërsia e saj nga parimet e realizmit social. Ndoshta për këtë arsye nuk ishte promovuar.”

Deri në momentin që u njoh me Szymborska-n, Petriti kishte bërë përkthime burokratike për ambasadën. Pastaj provoi se në momentin e përkthimit të poezive të saj një ndryshim i ndodhte. Ka përkthyer poezi për të cilat është ndjerë i sigurtë se mund ta sjellë të saktë kuptimin në shqip. Prandaj është nga ata që nuk janë të aftë për përkthime sasiore apo që ky proces t’iu kërkojë angazhim madhor. Po kur gjen një moment të përshtatshëm, ndodh automatikisht ta shohë veten të përfshirë në procesin e përkthimit të poezisë së Szymborska-n, që zgjat disa minuta.

Hedhjen e tij të befasishme tek letërsia ekonimisti ynë e shpjegon si një nevojë për të balancuar pak jetën. “Shkencat ekzakte merren me formula dhe koncepte, kurse letërsia s’mund të shpjegohet me ligje. Shpesh diskutojmë me studentë a është menaxhimi art apo shkencë. Art është ajo që ngacmon përfytyrimin, ajo që të bën të njohësh botën dhe njeriun. Ky është një takim ku konvergojnë arti dhe shkenca.”

Edhe takimi i këtij njeriu me Wislawa Szymborska-n i ngjan atyre të vërtetave që nuk janë të besueshme deri sa t’i zbulosh vetë.

PROFESORI I VJETËRWislawa Szymborska

E pyeta për kohët e shkuara,

kur ishim ende të rinj,

naivë, të vrullshëm, të paditur, të papjekur.

Diçka ka mbetur, përveç rinisë - ma ktheu.

E pyeta nëse e di me siguri

ç’është e mirë dhe e keqe për njeriun.

Ky është iluzioni më vdekjeprurës nga të gjithë - ma ktheu.

E pyeta për të ardhmen,

a e sheh me qartësi.

Kam lexuar shumë libra historie - ma ktheu.

E pyeta për fotografinë,

atë në kornizë, mbi tavolinë.

Ishin, por s’janë më. Vëllai, kushëriri,

kunata, gruaja, vajza në prehrin e gruas,

macja në prehrin e vajzës dhe qershia

e lulëzuar dhe mbi të një zog

i paidentifikuar fluturak - ma ktheu.

E pyeta a ndihet për ndonjë çast i lumtur.

Punoj - ma ktheu.

E pyeta për miqtë, a janë akoma.

Disa ish-asistentë, që kanë gjithashtu

ish-asistentë, Ludmilla

e zonja e shtëpisë, një i afërt,

por jashtë shtetit, dy punonjëse

të biblotekës përherë buzagaz, Gzheshi i vogël

dhe Mark Aureli - ma ktheu.

E pyeta për shëndetin dhe si ndjehet.

Ma kanë ndaluar kafen, vodkën, cigaret,

mbartjen e kujtimeve dhe sendeve të rënda.

Shtirem sikur nuk i dëgjoj - ma ktheu.

E pyeta për kopshtin dhe stolin e preferuar.

Kur mbrëmja është e kthjellët, vështroj qiellin.

Vazhdoj të habitem,

sa këndvështrime ka atje - ma ktheu.Përktheu nga polonishtja Petrit Dollani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›