E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas do të kthehet në Barcelonë

E ardhmja e kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Ylli spanjoll, sipas spekulimeve të fundit, do të jetë objektivi kryesor i Barcelonës, për afatin kalimtar të verës.

Gjiganti katallan thuhet se është i gatshëm të ofrojë 50 milionë euro për Fabregasin, i cili ishte pjesë e Barcelonës, para transferimit në Arsenal, si 16-vjeçar. Ndërsa, futbollisti është shprehur i hapur rreth mundësisë së rikthimit në Nou Camp.

“Kurrë nuk kam mbajtur të fshehtë dëshirën time për t’u kthyer një ditë në Barcelonë”, tha Fabregas, për Catalunya Radio.
“Prej moshës 9-vjeçare, unë dhe gjyshi im kemi shkuar në stadium për të përcjellë Barcelonën. Për një arsye ose tjetrën, u desh të largohem, por nuk dihet se çka mund të ndodhë në të ardhmen”, shtoi ai.

Pavarësisht gatishmërisë së tij për t’u rikthyer në Barcelonë, Fabregas ka insistuar se nuk ka zhvilluar kontakte me drejtuesit e gjigantit katalunas.

“Nuk jam kontaktuar nga askush, as unë as menaxheri im. Askush nuk mund të më tregoj se Barcelona është qyteti me kualitetin më të mirë të jetës, sepse e di vetë. Në Londër nuk më pëlqen koha, por si qytet është i shkëlqyeshëm. Kur të pensionohem, do të jetoj në Barcelonë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›