I bie pishman

Ismet Munishin nuk do ta shohim sërish në fushën e blertë. Edhe pse kishte paralajmëruar rikthimin në futboll, respektivisht te skuadra e Vëllaznimit në sezonin pranveror, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Ai ka ndryshuar mendje, duke vendosur që të mos rikthehet sërish në futbollin aktiv, nga i cili ishte pensionuar më herët. Munishi tani pretendon ta marrë postin e kryetarit të Vëllaznimit, pas privatizimit të klubit kuqezi, që pritet të ndodhë gjatë këtyre muajve.
“Vëllaznimi sigurisht se do të privatizohet. Biznesmeni i cili ka shprehur interesim ta marrë klubin ma ka premtuar postin e kryetarit. Atëherë unë do të kem angazhime të mëdha rreth organizimit të klubit, rreth organizmit të shkollës së futbollit, do të merrem me rregullimin e infrastrukturës, etj. Si menaxher do të kem angazhime për t’i dërguar lojtarët e rinj të Vëllaznimit në klubet e huaja”, deklaroi Munishi për Express.
“Si pasojë e këtyre angazhimeve nuk do të mund të luaja, andaj e kam ndryshuar sërish mendjen. Kur pata vendosur të rikthehem në futbollin aktiv, atë vendim nuk e pata marr për të bërë karrierë, por për t’i ndihmuar Vëllaznimit, i cili përjetonte situatë të rëndë”, theksoi ai.
Vëllaznimi ka gjasa të mëdha që të privatizohet në një të ardhme të afërt. Sipas Munishit është një biznesmen kosovar, i cili tash e 17 vjet jeton dhe vepron në Londër, që ka shprehur gatishmërinë për ta privatizuar klubin kuqezi.
Ismet Munishi është njeriu i cili edhe e ka nisur këtë punë, dhe i cili i ka ndërmjetësuar bisedimet ndërmjet Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe këtij biznesmeni, emrin e të cilit tani për tani nuk dëshiron ta bëjë publik, para se të nënshkruhet në letër marrëveshja për privatizimin e klubit.
Ndërsa, mundësinë e privatizimit të klubit, ditë më parë, nuk e pat përjashtuar as kryetari i Kuvendit Komunal të Gjakovës, Pal Lekaj, i cili i pat thënë Express-it se për këtë do të vendosë Asambleja Komunale e Gjakovës.