Në dorë të Komunës

Zyrtarët e Kosovës së Vushtrrisë, të premten nëpërmjet një shkrese, kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë që t’i jepet klubit në shfrytëzim stadiumi për 20 vitet e ardhshme, në mënyrë që bardhekaltrit ta tejkalojnë krizën financiare.
Nënkryetari i Kosovës (V), Basri Asllani, është optimist se Kuvendi Komunal do ta aprovojë kërkesën e klubit bardh e kaltër. Nëse ndodh kjo, ai beson se situata në klub do të normalizohej.
“Ne kemi bërë kërkesë në Komunë, për të na dhënë stadiumin në shfrytëzim për 20 vjet, pa pagesë. Duke e pasur parasysh situatën në të cilën gjendet klubi, aprovimi eventual i kërkesës sonë nga ana e Komunës do të thoshte shumë për klubin, sepse të gjitha gjërat do të rregulloheshin. Madje, në klub do të hynin edhe aksionarë të rinj”, deklaroi Asllani për Express.
“Kam vërejtur se ekziston një diskonim i mirë te zyrtarët komunalë për ta aprovuar kërkesën tonë. Kemi marr premtime të mira, prandaj shpresoj që përfundimisht të zgjidhet ky problem, pra të aprovohet kërkesa jonë”, theksoi ai.
Në të kundërtën, Asllani paralajmëroi se Kosova (V) vështirë se do t’i vazhdojë garat në stinorin pranveror.
Javë më parë, Kosova (V) i hodhi në shitje 50 për qind të aksioneve, por askush nuk i bleu ato, përkundër interesimit. Donatorët kanë hezituar t’i bashkohen këtij klubi, pikërisht për faktin klubi nuk e gëzon të drejtën e shfrytëzimit të stadiumit.