Kuze e dëshiron Gjermaninë

Përpara nisjes për në Varshavë, ku do të tërhiqet shorti për eliminatoret e Euro 2012, trajneri i përfaqësueses kuqezi, Josip Kuze, ka treguar se cilat skuadra preferon t’i ketë në grup, e cilat jo.
“Sigurisht kemi skuadra ndaj të cilave duam të luajmë dhe ndaj të cilave nuk duam. Do me pëlqente të përballeshim me Gjermaninë, ose me mirë të them, në përgjithësi preferoj të luajmë me skuadra që zhvillojnë lojë të organizuar, jo me skuadra që kanë individualitete të mira dhe me skuadrat qe zhvillojnë lojë kreative, me lojtarë sulmues, si Holanda apo Spanja”, ka thënë Kuze, për televizionin Top Channel.
Përveç gjermanëve, trajnerit kroat do t’i pëlqente që në grup të ketë Zvicrën, Turqinë apo Finlandën. Mirëpo ish-trajneri i Dinamos së Zagrebit nuk dëshiron që Kroacinë ta ketë në grup.
“Nuk do të më pëlqente të luaja kundër Kroacisë, pasi është vendi im dhe do të ishte një përballje emocionale për mua. Gjithashtu ata kanë një skuadër të mirë dhe ne do kishim më shumë shanse për të zhvilluar ndeshje të mira përballë Francës apo Gjermanisë”, shton ai.
Kuze kur erdhi në krye të Shqipërisë kishte si synim pikërisht eliminatoret e evropianit, duke shpresuar që të bënte diçka më shumë se paraardhësit e tij. Kroati, as kësaj here, nuk i ka fshehur shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian.