E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas kthehet në shtëpi

E kërkuan që tri vjet dhe arritën ta transferojnë zyrtarisht të hënën. Cesc Fabregas nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Barcelonën, pas tetë viteve të largimit nga klubi, të cilat i kaloi në Arsenal. Vlera e transferimit të tij është fillimisht 29 milionë euro por me bonuse mund të arrijë në 40. Ai thotë se kjo është sfida më e madhe në jetën e tij. Nga Express më 16 gusht 2011 në ora 09:16

Cesc Fabregas, i emocionuar, përgatitet për “sfidën më të madhe të jetës” pas zyrtarizimit të transferimit nga Arsenali në Barcelonë të hënën. Marrëveshja shënoi përfundimin e njërës prej sagave më të gjata në futbollin modern.

Gjiganti katalan tashmë tri vite kishte shprehur interesim për rikthimin e Fabregasit në klub. 24-vjeçari kaloi vizitat mjekësore dhe u prezantua para rreth 30 mijë tifozëve të Barcelonës në Nou Camp pas rikthimin të tij në klub, nga i cili u largua si 16-vjeçar më 2003.

Kontrata e tij me kampionin aktual të La Ligës dhe Evropës përfshin një dëmshpërblim prej 200 milionë eurosh. Fabregas do të bartë fanellën me numrin 4.

“Kam pritur gjatë për këtë moment. Është ditë e veçantë për mua”, tha Fabregas pasi nënshkroi kontratë pesëvjeçare. “E di se shumë prej jush ishit të dëshpëruar kur jam larguar, por jam këtu për t’u ballafaquar me sfidën më të madhe në jetën time. Pas tetë viteve larg, shpresoj të ju lë të gjithëve me kujtime të mira”, shtoi ai.

Nënkryetari i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu tha se Barcelona pagoi 29 milionë euro për 24-vjeçarin dhe se gjashtë milionë euro të tjera do t’i paguhen Arsenalit nëse skuadra katalane fiton dy tituj në La Ligë dhe një Ligë të Kampionëve me Fabregasin në ekip. Nga milion euro shtesë do t’i paguhet Arsenalit çdo vit nga paga e futbollistit.

“Ka qenë shumë më e komplikuar se që kemi pritur. Përveç 29 milionë eurove, ne ishim në gjendje të finalizojmë ofertën tonë falë ndihmës që bëri Cesc”, tha Bartomeu.

Fabregas iu falënderua trajnerit të tij të ri, Pep Guardiola dhe ish-menaxherit nga Arsenali, Arsene Wenger i cili e transferoi nga akademia e të rinjve të Barcelonës.

“Dua t’i falënderohem Pep Guardiolës për përpjekjet që ka bërë dhe besimin që më dha. Tani isha i gatshëm të bëj lëvizjen pasi nuk kam qenë gati dy ose tri vite më parë. Kisha opsione të ndryshme, por kam zgjedhur rrugën më të vështirë. E kam ditur se dua të jem me më të mirët në botë. Wenger është person i veçantë. Ai gjithmonë do të jetë sikur babai im i dytë, sepse më ka dhënë gjithçka në futboll. Gjithmonë do ta kem në mendje dhe në zemër”, vazhdoi ai.

Fabregas nuk i harroi as tifozët e Arsenalit. “Më vjen keq që nuk kam mundur të bisedoj me ta dhe jam i mërzitur që jam larguar, sepse kam kaluar një të tretën e jetës sime atje, tetë vjet. Ishte moment i vështirë, por jeta vazhdon. Pendimi më i madh që do të kem në karrierën time është se nuk kam ngritur një trofe si kapiten i Arsenalit, por jam i sigurt se ata sërish do të jenë ekip i fortë”, u shpreh ai.

Fabregas zhvilloi seancën e tij të parë stërvitore me Barcelonën, të hënën pasdite, derisa skuadra përgatitet për ndeshjen e kthimit të Superkupës së Spanjës, kundër Real Madridit të mërkurën. Takimi i parë në Santiago Bernabeu përfundoi në barazim 2-2.

“Jam i gatshëm të luaj. Gjithçka varet nga trajneri, por jam i gatshëm të luftoj për gjithçka”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›