Gol për kushën

Për Valdet Ramën, goli i shënuar të dielën ndaj Djurgardenit ka domethënie të veçantë. Sulmuesi kosovar i Orebros ia ka kushtuar këtë gol kushëririt të tij, Landi, 14 vjeç, i cili së fundmi e ka lënduar keq shpinën.
23-vjeçari shënoi gol në minutën e 24-t, ndërsa më pas shkoi drejt kamerave, duke iu drejtuar kushëririt të tij me gishtin tregues, duke i treguar se ky gol ishte për të.
“Ishte një moment i vështirë për mua dhe familjen time. Mirëpo, ai ka filluar t’i lëvizë këmbët tashmë. Ai luan futboll në Mitrovicë dhe është njëri prej talentëve më të mëdhenj në Kosovë. Ai do të shkojë në Gjermani këtë javë, për rehabilitim. E di se e ka shikuar ndeshjen në internet, në Kosovë. Goli ishte për të. Shpresoj që edhe ai në të ardhmen t’i kthehet futbollit”, deklaroi Rama për të përditshmen suedeze, Aftonbladet.
Kushëriri i Ramës e kishte lënduar shpinën keq në plazh, tri javë më parë. Rama e shkroi emrin e tij përpara kamerave, pasi e realizoi golin. Orebro fitoi 2:0, ndërsa përfaqësuesi kosovar ishte më i vendosur se kurrë, për të shënuar.
“Më ka befasuar fakti se kundërshtari na krijoi shumë hapësira. Unë kisha energji të madhe. Pata thënë edhe para lojës se dëshiroja të shënoja. Kam luajtur me zemër për kushëririn tim”, vazhdoi Rama, i cili sezonin e kaluar zbarkoi në kampionatin suedez nga Hannoveri i Gjermanisë.
Mitrovicasi po kalon nëpër momente të mira në Allsvenskan. Ai e ka rikthyer formën dhe po luan rregullisht, në krahasim me eksperiencën që e pati në Bundesligë, ku ishte rezervist i rregullt.