Shigjetari i ‘verbër’

Nëse Olimpiada është ngjarja më e rëndësishme sportive, stërvitjet për të arritur deri atje sigurisht se nuk kanë status të njëjtë. Për jugkoreanët që synojnë Olimpiadën, dita fillon me aerobik të udhëhequr nga një instruktor entuziast, i cili duket se lëviz dy herë më shpejt se gjithë të tjerët.
Anëtar i klasës është edhe Im Dong-Hyun, njëri prej shigjetarëve më të mirë të Koresë. I gjatë dhe trupngjeshur, ai e përcjell rutinën, gjysmë ritmi prapa trajnerit, si gjithë të tjerët. Por, ai ka një arsyetim më të mirë se kolegët e tij që nuk mund të përcjellë ritmin, ai nuk e sheh mirë trajnerin.
Dong-Hyun është aq shkurtpamës sa që njihet si ‘Shigjetari i Verbër’ i Koresë. Të parët e tij është aq i dobët sa që ai duhet të jetë dhjetë herë më afër objekteve për t’i parë qartë ato.
Por, nuk është të parët e tij – e as mungesa e entuziazmit për aerobik – që ia rrezikon pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm në Londër. Nevojitet fuqi e madhe për të përdorur me saktësi harkun dhe shigjetën dhe Dong-Hyun ka hapësirë për të rikuperuar para se të fillojë procesi i përzgjedhjes për Olimpiadë.
“Dy gjërat më të vështira për t’u ballafaquar me to është puna e keqe ekipore dhe lëndimet personale”, tha ai për BBC Sport. “Kam pasur disa operacione dhe probleme me krah. Mundohem të mos e shtyj veten shumë, por duhet të paraqitem mirë për të marrë rezultate”, shtoi ai.
Ai, kohën më të gjatë të ditës e kalon në palestër duke ngritur pesha dhe duke ndërtuar fuqinë e tij para garës vendimtare kualifikuese, që zhvillohet pas disa muajve. Përqendrimi është i lartë.
“Jam i mbyllur në këto hapësira por kjo është ajo që më bën ky që jam, kjo është arsyeja pse jam këtu”, u shpreh ai. Dong-Hyun nuk e ka lehtë as jashtë palestrës. “Është vështirë të kem të dashur ose të takohem me miqtë. Por, edhe brenda rregullave, ne gjejmë ndonjë mënyrë”.
Brenda hapësirës së shigjetarëve, kryetrajneri i tij, Jang Young-sul përcjell më vëmendje dhe analizon se kush mund të hyjë në ekipin olimpik. Ky është një njeri i cili nuk i mat garat e kaluara nga numri i medaljeve të fituara nga ekipi korean, por nga diferenca mes atletëve nga shtetet e tjera. Edhe për dikë të mirë si Im Dong-Hyun, ai thotë se ka 50/50 gjasa të hyjë në ekip.
“Paraqitjet e kaluara nuk hyjnë në konsideratë. Edhe nëse keni fituar medalje të arta në olimpiadat e kaluara, nuk do të përzgjidheni përderisa nuk paraqiteni mirë në garat lokale”, tha Dong-Hyun, i cili ka fituar medalje të arta ekipore në Lojërat Olimpike në Pekin dhe Athinë, por Londra mund të sjellë një rast për një të artë në kategorinë individuale.
“Shigjetaria është gjithçka për mua. Më jep famë dhe para. Është gjithçka që kam, është sikur babai dhe nëna për mua”, thekson ai. Dong-Hyun thotë se caku i duket si një kovë me ujë me ngjyra që rrokullisen. Por, shigjetat e tij e qëllojnë qendrën.