E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali synon tre tituj

Real Madridi përfundoi duarthatë në sezonin e kaluar, mirëpo sulmuesi Gonzalo Higuain ka thënë se ekipi synon të shijojë triumfin në edicionin e ri. Përveç titullit të kampionit në La Liga, ylli argjentinas ia ka vënë syrin edhe Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve.

“Synimi ynë për sezonin 2010-11 është të fitojmë të tri garat, në të cilat marrim pjesë. Do të ishte shpërblim i mirë për tifozët tanë, të cilët shpresojnë dhe presin që të ndodhë kjo”, tha Higuain për uebfaqen zyrtare të Realit.

“Do të ishte e veçantë të fitojmë Ligën e Kampionëve këtë vit. Asnjë ekip nuk ka fituar më tepër tituj të Evropës dhe shpresojmë të marrim të dhjetin këtë vit. Sa i përket shkallës personale, synoj të shënoj më tepër gola se sezonin e kaluar, sepse ata do t’i ndihmojnë ekipit në realizimin e objektivave. Kam shënuar një numër të mirë të golave vitin e kaluar, por dua të shënoj edhe më tepër në sezonin e ri”, shtoi ai.

Higuain ka folur edhe për ardhjen e trajnerit të ri, Jose Mourinho. “Është kënaqësi të punojmë me Mourinhon. Të gjithë duam të mësojmë prej tij. Do të jetë një vit i vështirë, por besoj se mund të fitojmë çdo titull për të cilin garojmë. Jemi shumë të motivuar”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›