Fabrika e çimentos gërryen 300 ha pyje
Një investitori të huaj i është dhënë e drejta e shfrytëzimit të pyjeve në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, me qëllim prodhimin e çimentos. Vendimi u mor dje nga Komisioni parlamentar për Tregtinë dhe Prodhimin, e cila aprovoi heqjen nga fondi pyjor të rreth 300 hektarëve tokë, me qëllim zhvillimin e investimit. Vendimi për lejen e ndërtimit është marrë në mesin e vitit 2008, ndërsa shoqëria ka filluar punimet për përgatitjen e karrierave për shfrytëzim të gurit gëlqeror dhe argjilës, që përdoren si lëndë e parë në prodhimin e çimentos. Investimi kap vlerën 200 milionë euro, ndërsa kontrata koncesionare zgjat 99 vjet. Në komision nuk ka pasur debate, por vetëm një shqetësim të shprehur nga kryetari Jemin Gjana, sa i takon rikthimit të zonës në gjelbërim. "Nuk jam kundër investimit, por kërkoj më shumë kujdes, pasi na thuhet se gjelbërimi do të kthehet dhe në fakt nuk ndodh kështu. Sipas marrëveshjes, kompania e huaj do të punojë për të mbjellë zonën me drurët e prekur nga investimi brenda një kohë 3-vjeçare. Fakti që kontrata e fabrikës së çimentos kërkon miratimin e Kuvendit lidhet me hapësirën pyjore që do të shfrytëzohet, e cila e kalon 100 hektarë.