E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën kreu i tatimeve për Elbasanin

Mëngjesi i djeshëm ka konfirmuar largimin nga detyra të kreut të tatim-taksave për Prefekturën e Elbasanit, Skënder Daja. Ky i fundit do të shërbente në këtë detyrë gjatë mandatit të kaluar qeverisës të PD-së, ndërkohë që tashmë do të mbajë postin e shefit të kontrolleve inspektuese për të gjitha bizneset. Mësohet zyrtarisht se zëvendësuesi i tij do të jetë, Xhemali Vyshka, ekonomist në karrierë, që vjen në këtë detyrë nga sektori industrial i Metalurgjikut. Përveç përcaktimit "qarkullim", nuk është dhënë ndonjë motivacion zyrtar për largimin nga posti i kreut të tatim-taksave të prefekturës, ndërkohë që ky i fundit, para se të dorëzonte "çelësat", do të mbyllte me sukses dy aksione të organit tatimor rajonal. Kujtojmë se aksioni i parë, është zhvilluar para dy muajve dhe u finalizua me vendosjen e gjobave ndaj bizneseve të palicencuara. Ndërsa aksioni i dytë, ka shënuar në qarkoren zyrtare të këtij institucioni vendor falimentimin e 12 bizneseve të nivelit të mesëm dhe të madh në qytetin e Elbasanit. Puna e Dajës është vlerësuar si mjaft pozitive, pasi gjatë drejtimit të tij, evazioni fiskal ka pësuar një ulje prej afro 27% , ndërsa janë shënuar rritje me 17% në regjistrimin e të gjitha kategorive të bizneseve.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›