E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza uli shitjet me pakicë në Shqipëri

Shqiptarët kanë ulur ndjeshëm konsumin e mallrave të qëndrueshëm si pajisjet elektroshtëpiake, blerjet e riparimet e makinave, veshjet e këpucët, bëhet e ditur nga të dhënat e grumbulluara nga Instituti i Statistikave. INSTAT publikon çdo tre muaj indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, ku të dhënat e shitjeve krahasohen me vitin bazë 2005. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën janar-mars të këtij viti, u shënua hera e parë në shumë vite që shitjet me pakicë shënuan ulje. Në tremujorin e dytë, situata u përmirësua disi, por volumi i shitjeve mbetet ende në të njëjtin nivel me qershorin e vitit të kaluar, pra me rritje zero. Indeksi i përgjithshëm i shitjeve me pakicë shënoi në qershor kuotën 174.2 (viti 2005 = me 100), shifër kjo në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë indeksi pati rënë në 156 për qind.

Sipas indeksit, goditjen më të rëndë e kanë vuajtur tregtarët e pajisjeve të ndryshme shtëpiake, të cilët shënuan një rënie prej gati 40 për qind të shitjeve në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë, megjithëse shitjet u përmirësuan, mbeten ende larg nivelit të zakonshëm. Indeksi tregon se biznesi i dyqaneve që shesin artikuj të përzierë, ku përfshihen ushqimet, pijet duhani etj., kanë realizuar një biznes të zakonshëm në tremujorin e dytë, pasi qenë përballur me rrije të lehtë, por gjithsesi të qëndrueshme në tremujorin e parë. Edhe farmacitë nuk kanë raportuar ndonjë rënie të shitjeve gjatë kësaj periudhe.

Rënia e shitjeve me pakicë në mallrat që nuk i përkasin konsumit të përditshëm lidhet edhe me kufizimin e kredisë për konsum nga bankat gjatë kësaj periudhe. Kështu, shumica dërrmuese e bankave ka kufizuar apo ndërprerë tërësisht kreditimin e shumave të vogla për familjet, kredi që zakonisht shkojnë për të mbuluar blerjet e mobilieve apo pajisjeve elektroshtëpiake, si dhe makinave.

Akoma më të goditur duket se kanë qenë dyqanet e veshjeve dhe këpucëve. Blerjet e shqiptarëve të këtyre mallrave kanë qenë gjatë këtij viti në pikën më të zezë në shumë kohë, gjë që ka shtyrë edhe shumë tregtarë të kësaj kategorie të ndërpresin aktivitetin e vet.

Lajmi i mirë është që në tremujorin e dytë, shitjet me pakicë duket se po ecin drejt stabilizimit dhe rënia e shitjeve në tremujorin e parë duket se u shkaktua gjerësisht nga paniku dhe pasiguria që krijuan lajmet për krizë.

Indeksi i shitjeve me pakicë përdoret si referencë për të parë ecurinë e fuqisë blerëse të popullatës së një vendi. Në Shqipëri, shitjet me pakicë kanë shënuar rritje të fuqishme gjatë viteve të fundit, gjë që ka treguar për rritje të fuqisë blerëse të shqiptarëve.

Sektori i shitjeve me pakicë punëson rreth 50 mijë vetë në të gjithë Shqipërinë, ku shumica dërrmuese janë të vetëpunësuar me aktivitet biznesi të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›