E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrika e dyllit, shtëpia e dytë e VIP-ave

Ndjesia e parë që të krijohet:
të duket sikur je në spital,
në një klinikë luksoze, e cila
ndoshta udhëhiqet nga një
shkencëtar i çmendur, nga doktor
Jekill, doktor Kaligari, ose nga vetë
Frankenshtain. Në fakt, pacientët janë
bërë copë-copë. Këtu është një krah,
aty një trup, ndërsa atje përtej një kokë,
mbi të cilën infermierët mundohen "të
sistemojnë" gjithçka duke rimodeluar
linjat, sytë dhe veshët. Mos mendoni se
jemi në një film të frikshëm. Ndodhemi
pikërisht në studiot "Tussauds", në
Akton, lagjja londineze në perëndim
të Kensingtonit. Jemi pikërisht në
magazinën e pjesëve të ndërrimit të
Madamë Tussauds, ose në varrezën e
muzeut të dyllit. Jemi në vendin, nëse
do ta quajmë kështu, nga ku kalon historia
e një ndërtimi të vjetruar, që me
një këmbëngulje të jashtëzakonshme
i ka mbijetuar kohës së internetit dhe
realitetit virtual.
Sot "Madam Trusards" është një
muze shumëkombësh, me qendër në
Londër, Amsterdam, Las Vegas, Hong-
Kong dhe Nju Jork.
"Shtëpia mama", i pari dhe më i
madhi i muzeve që mbajnë këtë emër,
i cili ndodhet në rrugën "Marylebone
Road", në qendër të kryeqytetit britanik,
mbush këto ditë plot 80 vjet. Muzeu që u
hap në 1928-ën u shkatërrua tri vite më
parë (1926), pas një zjarri të madh, i cili
shkatërroi jo vetëm të gjitha statujat e
dyllit e kostumet e tyre, por edhe mobilimin,
pikturat dhe objektet që ishin pjesë
e ekspozitës origjinale, inauguruar në
ndërtesën mesjetare në 1884-ën.
Muzeu i dyllit i "Madam Trusard"
kishte zbarkuar në Londër kohë më
parë, në 1835-ën. Duhet të kthehemi
pas në histori, në 1770-ën, për të sjellë
ndërmend shfaqen e parë të statujave
prej dylli, në Paris, vepër kjo e një
mjeku, doktor Philippe Curtius, pranë
të cilit punonte si shërbyese nëna e
Mari Grosholtz, një zonjushë alsasiane
nga Strasburgu, e cila pas pak kohësh
do të bëhej ndihmësja e tij dhe do të
merrte mbiemrin Curtius, i cili do ta
bënte shumë të famshme. Kohë më vonë
zonjusha do të martohej me inxhinierin
François Trusard.
Për këtë histori të gjatë, pothuajse dy
shekuj e gjysmë, studiot "Trusard" janë
simboli, ruajtësi dhe vazhdimësia. Këtu
janë ruajtur të gjitha stampat dhe pjesët
origjinale, të cilat nuk janë shkatërruar
apo që nuk kanë humbur, arkivat me
letrat dhe dokumentet e kohërave të
ndryshme, pjesët e konsumuara, të prishura,
të rrënuara e të bëra copë-copë.
Këtu bëhen ndryshimet, zëvendësimet
dhe riparimet. Këtu pushojnë për orë
të tëra meshkujt dhe femrat nga i gjithë
planeti, të cilëve u kërkohet të bëhen
pjesë e muzeve "Trusard" të shpërndarë
në gjithë botën. Muzeu të ngjan njësoj
si një laborator modern, i ndarë në
repartin e skulpturës, zyrën e inxhinierisë
mekanike, sallonin e gardërobës,
magazinën e modelimit me dyllë dhe
plastikë, studion e dizajnit, shumë
zyra për prodhimin, shpërndarjen dhe
reklamat.
Muret e jashtme duken si ato të një
ish-fabrike për aeroplanë, të cilat janë
përdorur si vitrina për montimin e automobilave
e më pas si qendra kërkimi
me teknologji të lartë. Dritaret e mëdha,
brenda të cilave hyn shumë dritë, i japin
vendit një pamje më të gjallë. Mobilimi
i tij është modern, gjithashtu është përdorur
një teknologji e sofistikuar. Brenda
tij punojnë me shumë kujdes, sikur të
ishte një repart obstetrik, qindra njerëz,
për të "sjellë në jetë" imitimet perfekte të
qenieve njerëzore reale. Statujat historike,
apo që kanë mbetur prej tyre, ruhen
me kujdes nëpër kuti, dollapë të vjetër,
njësoj siç ruhet një faraon në varrin e
tij të vjetër. Statujat e reja, ato që duhen
riparuar, ose rinovuar, janë shpërndarë
në "sallat e vogla të kirurgjisë". Mbi
tavolinën e punës qëndron një kokë "e
zhveshur", mbi të cilën po dizajnohen
dhe po krijohen linjat për lëkurën dhe
vendosjen e flokëve, gjithashtu po rimodelohen
hunda dhe buzët, para se koka
të bashkohet me trupin, ku mbi këtë të
fundit punojnë artizanë të tjerë.
Ky është një proces i vështirë, i
avashtë dhe i kushtueshëm. Çdo vit në
studiot "Trusard" prodhohen përafërsisht
40-50 figura të reja, ku një pjesë
e tyre shkojnë në muzeun e Londrës,
ndërsa pjesa tjetër në filialet e tjera.
Para se të fillojë ndërtimi i një skulpture
prej dylli, për çdo figurë gjëja e parë që
bëhet është përcaktimi i vendit se ku
do të vendoset, në çfarë pozicioni dhe
në ç‘marrëdhënie me statujat që do të
ketë pranë. Nëse personi që do të pozojë
është i disponueshëm, dërgohet në
studiot ku caktohet poza, shprehja dhe
imazhi i përzgjedhur: merren masat e
detajuara, fotografohet personi dhe një
seancë mund të zgjasë edhe katër orë.
Në fakt, ndonjëherë janë skulptorët
dhe modeluesit e dyllit të "Madam
Trusardit" të cilët sjellin në këtë muze
yjet e muzikës dhe Hollivudit për t‘i
shndërruar në statuja prej dylli, ku për
shkak të impenjimeve dhe axhendës së
ngjeshur, për këta të fundit një seancë
zgjat vetëm 15 minuta.
Megjithatë, as katër orë nuk janë
shumë në krahasim me gjashtë muaj
punë që kërkon krijimi i çdo statuje,
nga matja e parë e origjinalit, deri në
përfundimin total të punës. Çdo pjesë
e trupit ka ekspertin e tij. Ka ekspertë
që ekzaminojnë flokët, ngjyrën e syve
dhe të lëkurës, të tjerë që përcaktojnë
llojin e veshjes, të tjerë që merren me
modelimin e duarve dhe të dhëmbëve,
nëse është e nevojshme. Masat që u
merren qenieve të gjalla dhe fotografive
që u shkrepen, u shtohen më pas
imazhet dhe filmimet e përzgjedhura
përmes agjencive të shtypit dhe rrjeteve
televizive, deri sa skulptori ta ketë mirë
parasysh imazhin e publikuar nga individi
i përzgjedhur.
Një departament kërkimesh bën
të mundur furnizimin me materiale
arkivore mbi personazhet historike,
duke përdorur portrete, skulptura dhe
përshkrime të kohës kur kanë jetuar.
Kështu, një skulptor ndërton një armaturë,
një lloj skeleti prej çeliku dhe alumini,
i cili fryhet me letra gazetash dhe
së bashku lidhen me një tel të hollë prej
hekuri. Skeleti merr formën e duhur që
do të ketë më pas statuja. Në këtë pikë,
mbi skeletin ndërtohet trupi prej argjile,
ku sipërfaqja është prej fibrash xhami.
Procedura e skulpturës kërkon rreth 12
javë, 8-9 javë nevojiten vetëm për kokën,
që krijohet e ndarë nga trupi, ndërsa
katër javë nevojiten për krijimin e trupit.
Më pas fillon aplikimi i formës me dyllë,
një përzierje e dyllit të bletës dhe dyllit
japonez, të cilëve u shtohet pak rezinë,
silikon dhe materiale të tjera. Dhëmbët
vijnë nga laboratori dentar "Mount
Vernon Hospital", një nga më modernët
e Anglisë: çdo dhëmb kërkon katër ditë
punë. Për çdo palë sy, të pikturuar me
bojëra uji dhe akrilik dhe një fije të hollë
mëndafshi, e cila përdoret për të krijuar
damarët, nevojiten plot 10 orë.
Para fotografisë origjinale, një grup
parukierësh kërkojnë me imtësi qimen
e duhur, në mënyrë që të gjejnë kopjen
e përshtatshme që i shkon skulpturës:
nevojiten pot gjashtë javë për të fabrikuar
paruken e duhur.
Çdo fije floku vihet mbi kokë me një
gjilpërë të veçantë, në mënyrë që më pas
ajo të hiqet, të rregullohet e të pastrohet
sa herë të jetë e nevojshme. Një proces
i ngjashëm ndodh me çdo gjilpërë
dhe qime tjetër në trup. Në fund, dylli
ngjyroset me bojëra vaji, për të krijuar
një efekt real. Duhen pesë ditë për të
ngjyrosur kokën, dy ditë për duart, dhe
më shumë nëse pjesët e tjera të trupit
janë të ekspozuara ose të mbuluara nga
rrobat. Veshja ose përzgjedhja e rrobave
është veprimi i fundit. Nëse njeriu i
vërtetë nuk mundet ose nuk dëshiron të
japë një palë këpucë personale të përdorura,
këpucët e reja i veshin për disa javë
vartësit e muzeut, me qëllim që të duken
mjaftueshëm të përdorura.
Kur doktor Curtius hapi një ekspozitë
statujash dylli në Pallatin Mbretëror të
Parisit, në 1770-ën, teknika ishte më
primitive. Mari Grosholtz, që më pas do
të bëhej Mari Trusard, ndihmësja e tij, e
mësoi mirë artin për të krijuar statuja
prej dylli dhe në moshën 17-vjeçare,
pasi e kishte perfeksionuar këtë art,
shkoi në Versai si kuratore arti e motrës
së Mbretit. Gjatë shpërthimit të revolucionit
francez në 1789-ën, Mari u kthye
në Paris, për të ndihmuar doktorin në
modelimin e disa viktimave të gijotinës,
përfshi dhe vashat që kishte njohur në
Versai.
Në 1794-ën trashëgoi koleksionin e
statujave prej dylli nga doktor Curtius, u
martua me inxhinierin François Trusard,
u nda prej tij tetë vite më vonë (por duke
mbajtur mbiemrin e tij) dhe u nis për
rrugë që t‘i sillte statujat e saj prej dylli
në ishujt britanikë.
Ishte një grua aventuriere, sidomos
për ato kohë: për 33 vitet e ardhshme
jetoi një jetë si drejtoreshë cirku, duke e
dërguar karvanin e saj të statujave nga
qytetet në tjetrin, duke kërkuar lokalet
për t‘i ekspozuar, duke improvizuar
reklama e duke u dhënë intervista gazetave
të ndryshme.
I mbijetoi përmbytjes në detin e
Irlandës, zjarrit të Bristolit në 1831-in,
duke vazhduar kështu mes udhëtimeve
t‘i shtonte statuja të tjera koleksionit të
saj, gjersa në 1835-ën ndaloi në Londër,
në "Baker Street". Në moshën 80-vjeçare,
para se të vdiste, kur ishte shumë e
famshme dhe e pasur, bëri statujën e
saj prej dylli, duke ua lënë trashëgim
muzeun fëmijëve. Që nga viti 2007, të
gjithë muzetë "Trusards" janë blerë nga
"Merlin Entertainment", një gjigant i
këtij sektori, me më shumë se 50 parqe
lojërash dhe tërheqje ndërkombëtare,
përfshi "The Eye" ("Syri") e shumë të
tjera.
Dyqind e tridhjetetetë vite më vonë,
pas shfaqjes në pallatin mbretëror në
Paris, tetëdhjetë vjet pas rihapjes në
Londër, Madam Trusardi e ditëve të
sotme është një lloj "luna park" me
statuja vetëlëvizëse, efekte speciale,
kinema, restorante, dyqane suvenire
dhe kjo e shpjegon në një farë mënyre
se përse magjia e saj nuk është venitur
me lindjen e formave të reja të dëfrimit
si videolojërat, kartonët e animuar me
kompjuter dhe "Second Life" ofruar nga
interneti.
Megjithatë, suksesi i muzeut të dyllit
qëndron te disa arsye të tjera. Është e
mahnitshme të gjesh në të njëjtën çati
Anzholin Zholi dhe Papa Gjon Palin II,
Gandin dhe Devi Bekam, Dianën dhe
Princin Karl, Presidentin Bush, Bogart,
Pelè, Mbretëreshën Elisabeta, boksierin
Muhamed Ali, Madonën, Xhenifer
Lopez, Luçiano Pavarotin, Napolonin,
Bill Klintonin, Gorbaçovin, Bred Pitin,
Leninin, Xhorxh Klunejin dhe qindra
njerëz të tjerë të famshëm të së shkuarës
e të tashmes. Njerëzit që vizitojnë muzeun
janë të moshave të ndryshme, por
pjesa më e madhe e tyre janë nxënës
shkollash.
Një nga arsyet e shumta për të cilën
njerëzit vazhdojnë ta vizitojnë muzeun
është se cili personazh vazhdon të jetë e
cili jo. Për shembull, Toni Bler nuk është
më Kryeministër, por është sërish pjesë
e muzeut. Gjithashtu brenda muzeut
ndodhet edhe pasardhësi i tij, Gordon
Braun, i cili fillimisht kur u dërgua në
studiot "Trusards" për të pozuar, u poshtërua
pasi mori një letër refuzimi, ku
mbi të ishte shkruar: "Duhet të fitoni
zgjedhjet e 2009-ës për t‘u bërë një
statujë dylli". Si për Braun, ashtu dhe
për çdo njeri tjetër, dëshira për të qenë
pjesë e këtij muzeu kushton plot 200
mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›