E Diel, 1 Nëntor 2026

Fabrika e veshjeve dhe çantave nuk u jep pagën 70 punëtorëve

19/12/2008  Largohen pronarët, kyçi dhe ambientet e punës

KORÇE- Janë 70 punëtore të firmave “Dag” që prodhon veshje dhe “Pagagin” që prodhon çanta në Korçë, që nuk kanë marrë prej dy muaj pagat e tyre. Pronarët nuk denjojnë t’u japin asnjë përgjigje dhe së fundi kanë kyçur edhe mjediset e punës e janë larguar në drejtim të paditur. Në këto kushte punëtoret u janë drejtuar organeve të pushtetit vendor dhe sindikatës së pavarur dega Korçë, ku kanë kërkuar mbështetje. Gjatë protestës së djeshme këto punëtore kanë shprehur edhe dyshimin se nuk u janë paguar sigurimet shoqërore, gjë që do t’u siguronte asistencë për një vit. Largimi i pronarëve pa dhënë asnjë shpjegim ka ngjallur revoltë në radhët e tyre. Punëtorja S. N. është shprehur: “Të na japin pronarët një zgjidhje, të na thonë kur do të na likuidojnë dhe nëse do të qëndrojnë ende këto firma apo do ta mbyllin aktivitetin, ne duam pagat se jemi familjare e kemi fëmijë për të ushqyer e gëzuar se edhe ne duam të festojmë festat që po vijnë”. Ndërsa Natasha Lubonja, kryetare e sindikatave të pavarura dega Korçë në prononcimin e saj nënvizoi: “Shpreh shqetësimin tim për keqtrajtimin e punëtoreve tona, të cilat nuk po marrin pagën e tyre, frytin e djersës së tyre”. Dua të nënvizoj se institucionet e shtetit që kontrollojnë bizneset e mësipërme në punën e tyre nuk kanë qenë korrektë dhe kanë lejuar që këto firma shqiptaro – greke të mashtrojnë punëtoret e tyre. Sot kam kërkuar që të organizoj një takim me pronarët e këtyre bizneseve, Inspektoratin e Punës dhe prefekten për t’i dhënë një zgjidhje problemit që është krijuar. Punëtoret, viktimë e një mashtrimi të mundshëm, nuk duan të identifikohen gjatë ankimimit të tyre. Ato shprehen se mbas vitit të ri pronarët mund të vijnë e t’ua japin pagat, por kjo gjë i pengon që të përballojnë nevojat e jetesës dhe pse jo edhe të festave të fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›