E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrikat e çimentos mund të vrasin kuotat e karbonit

Emetimet e gazrave që prodhojnë efektin serë në Shqipëri janë 4-5 herë më të ulëta se vendet e industrializuara. Kjo gjë i ka mundësuar Shqipërisë të prezantohet si një vend ku kompanitë perëndimore mund të investojnë në projekte të teknologjisë së rinovueshme, ku interesimi nuk ka munguar. Por ekspertët paralajmërojnë se programet për ndërtim termocentralesh qymyri në Porto Romano apo fabrika të reja çimentoje në të gjithë vendin, mund ta kthejnë shpejt Shqipërinë nga vend suficitar të emetimeve të karbonit në vend deficitar.

"Në një të ardhme të afërt, ne nuk mund të përfitojmë nga këto lloj projektesh", u shpreh për "Top Channel" Abdullah Diku, ekspert i ndryshimeve klimaterike.

Shqipëria klasifikohet si vend në zhvillim me emisione të pakta nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Për rrjedhojë, projektet për të ndërtuar impiante të energjisë së rinovueshme si parqet e energjisë së erës apo hidrocentralet e vegjël, mund të përfitojnë financime nga skemat e OKB-së për mbrojtjen e ambientit. Sipas ekspertëve, vetëm projekti i ENEL për të ndërtuar një termocentral qymyri me fuqi të instaluar 2 mijë MW në Durrës, do të dyfishojë emisionet e karbonit të vendit tonë ndërsa pesë fabrika cimentoje të projektuara do ta kthejnë vendin tonë në ekonomi me emisione të larta të karbonit.

Çfarë pritet të ndodhë gjatë viteve të ardhshme në Shqipëri? Ekspertët kanë përllogaritur se deri në vitin 2100 do të kemi një rritje të temperaturës mesatare nga 2.9 deri në 5.5 gradë Celsius dhe ulje të sasisë së reshjeve nga 8.8 në 16.2 për qind, çka do të sjellë probleme me furnizimin me energji elektrike, e cila kryesisht mbështetet te burimet hidrike.

Gjatë 15 viteve të ardhshme pritet që rritja e temperaturës të shoqërohet edhe me ulje të prodhimit të energjisë elektrike nga 10-20 për qind. Një tjetër problem do të jetë edhe erozioni që ka prekur bregdetin. Por, përveç ndryshimeve klimaterike që ndikojnë në të gjithë globin, shqiptarët përballen çdo ditë me një ajër të ndotur, që po rrit jo vetëm numrin e personave alergjikë, por edhe azmatikë. Përfaqësues nga e gjithë bota janë mbledhur këto ditë në Kopernhagen në Danimarkës për të diskutuar për një marrëveshje të re që të ndalojnë ngrohjen e mëtejshme të planetit përmes nxitjes së prodhimit të energjisë me metoda që nuk e ndotin ambientin dhe nuk emetojnë gazra të dëmshëm. Vendet e Ballkanit janë vetëm ndjekës pasivë në këtë samit, pasi nuk bëjnë pjesë as në grupin e vendeve të zhvilluara dhe as në ato në zhvillim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›