Financat: Detyrimet tona do t‘i shlyejmë brenda dhjetorit
Duke i konsideruar si të pavërteta vlerësimet se buxheti i shtetit gjendet në vështirësi financiare, Ministria e Financave pranoi dje se ka akumuluar detyrime të prapambetura ndaj invalidëve, por do t‘i shlyejë këto detyrime para fundit të vitit.
"Brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekësh për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike", deklaroi dje zyrtarisht Ministria e Financave.
Financat rikonfirmuan faktin se këtë vit nuk do të ketë paradhënie për të punësuarit e administratës shtetërore, por theksoi se shpërndarja e pagave të dhjetorit në janar është një praktikë që thjesht sa respekton ligjin.
"Të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar", thuhet në deklaratë.
Ministria e Financave do të paguajë brenda muajit dhjetor edhe të gjitha shpërblimet prej 1 miliard lekësh, sipas vendimit të qeverisë për punonjësit e administratës publike në masën 10 mijë dhe 15 mijë lekë, si dhe pagesat për shumën 1.4 miliardë lekë, për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2500 lekë për pension", thonë Financat.
Ministria thotë se lajmet e shpërndara për pamundësi financiare të pagimit të pensioneve, pagave dhe shpërblimeve të fundvitit, janë të rreme dhe dashakeqe. Gjendja financiare e llogarisë së Thesarit mundëson respektimin dhe zbatimin e plotë të buxhetit të shtetit miratuar në Parlament".
Gjatë viteve të shkuara, shumica e enteve publike arrinin të shpërndanin rrogat e dhjetorit disa ditë më herët se sa data e caktuar në fillim të janarit. Dy ditë më parë, zyrtarë të Financave njoftuan se kjo praktikë nuk do të tolerohet këtë vit. Sipas zyrtarëve, shërbimi i Thesarit do të mbyllet duke filluar nga 20 dhjetori.
Buxheti i shtetit u detyrohet disa dhjetëra milionë euro fatura të pashlyera kompanive të ndërtimit të rrugëve, gjë që e ka pranuar, por ka premtuar gjithashtu se do t‘i shlyejë së shpejti.
Gj. Erebara