Facebook, ‘kërcënime’ kundër Berluskonit
Një grup në Facebook, i formuar që në vitin 2008, ka emërtuar Forumin e vet, “Të vrasim Berluskonin”. Sot grupi ka 12 mijë fansa. Ministri i Drejtësisë në Itali, Angelino Alfano, kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë për të zgjidhur këtë çështje. “Kam kërkuar një hetim mbi sigurinë e Kryeministrit”, ka deklaruar ai dhe ndërkohë Prokuroria e Romës ka hapur menjëherë një dosje me hipotezën e kërcënimeve të rënda për sigurinë e Kryeministrit. Administratori i faqes, shkruan se “sot, në datën 12 tetor 2009 marr drejtimin e grupit të braktisur nga administruesi i mëparshëm dhe duke mos mundur t’i ndryshoj emrin, i deklaroj thëniet teka. Personalisht nuk dua të vras askënd dhe nuk dua të bëj asnjë shkelje ligji”. E megjithatë ministri Alfano kërkon hetim për nxitje urrejtjeje kundër Berluskonit, duke konsideruar se ata që nxisin urrejtje dhe vrasje kryejnë një krim. Në vendin tonë ekziston detyrimi i ndërhyrjes penale”, është shprehur ai. “Kjo është një çështje e madhe për sigurinë që ka të bëjë me vetë Presidentin e Këshillit dhe unë sot kam shtruar këtë çështje në Komitetin kombëtar për rend dhe Siguri Publike”, tha ai.