E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Rrota e historisë nuk mund të kthehet pas

 

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u është kundërpërgjigjur deklaratave të homologut të tij rus, Dimitri Medvedev, gjatë vizitës në Beograd, se “Rrota e historisë nuk mund të kthehet pas” dhe pavarësia e Kosovës është e kryer. “Kosova është e pavarur mbi bazën e argumenteve të fuqishme, në radhë të parë të vullnetit politik të popullit të saj”, tha Sejdiu. Presidenti i Kosovës u shpreh para gazetarëve se Rusia me këtë qëndrim po i shkel pikat e Grupit të Kontaktit për Kosovën, të përcaktuara në dhjetor 2005, ku theksohet se duhet të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës. Sejdiu kujtoi se Rusia nuk ka qenë kundër këtij qëndrimi të Grupit të Kontaktit, madje ka qenë pjesëmarrëse në procesin e negociatave të udhëhequra nga Presidenti Ahtisari, ka qenë pjesëmarrëse në procesin e treshes në 120-ditëshin për Kosovën dhe gjithmonë qëndrimi i saj ka qenë për një zgjidhje të qëndrueshme për paqen dhe stabilitetin.
Prandaj, “pres që Rusia të ketë qëndrim të ri ndaj Kosovës, e jo qëndrim që krijon tensione”, është shprehur Sejdiu. Deklarata e tij u bë pas takimit me Ambasadoren e Finlandës me seli në Sofje, përgjegjëse edhe për Kosovën, Taria Laitiainen, prej të cilës ka pranuar edhe letrat kredenciale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›