Shkupi, gati Ambasadori
Ministria e Jashtme në Shkup ka paralajmëruar emërimin e Ambasadorit në Kosovë së shpejti, ndërsa Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekretoi një ditë më parë themelimin e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Maqedonisë. Qeveria ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të fillojë firmosja e marrëveshjeve dypalëshe mes Shkupit dhe Prishtinës, të cilat i hapin rrugën thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar, por edhe marrëveshjeve në fusha të tjera midis dy vendeve fqinje. Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, tha për “Evropa e Lirë”, se marrëveshja e parë që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme do të jetë ajo ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës të Kosovës. Duraku shtoi se marrëveshja e dytë duhet të jetë ndërmjet Ministrive të Punës dhe Politikës Sociale.