E Diel, 1 Nëntor 2026

Fahri Balliu: Firma është e vdekur, dokumentet mund t’i shohin të gjithë



Botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu, ka sqaruar dje pozicionin e tij dhe të vajzës rreth një firme në ortakëri me Mihal Delijorgjin. Gjatë një konference për shtyp, Balliu i konsideroi disa shkrime në media si “akuzë në gotë që kanë ngritur segmente dhe qarqe të caktuara që për interesa të mirëfillta politike, kanë keqinterpretuar dhe mashtruar opinionin publik, lidhur me një të ashtuquajtur aferë me Delijorgin”.

Botuesi i “55”-s tha se në shkurt të 2006-s, vajza e tij ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgi për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza dhe as Balliu, nuk ka asnjë lidhje me këtë firmë e cila vdiq sa lindi. “Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente, emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë”, - është shprehur Balliu.

Më poshtë Balliu tha: “Ky sulm është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentet e krijimit të kësaj ndërmarrjeje kanë qenë me kohë në prokurori: është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime. Sigurisht se në këtë dokument dhe në dhënien e tij, është përfshirë pa dyshim prokuroria, sepse kjo ka qenë legale në uebsajtin e QKR-së dhe që mua as më ka shqetësuar dhe as më shqetëson. Atë mund ta merrte çdo njeri. Kurse e dhënë në këtë formë, është për t’i shërbyer sadopak strategjisë dhe politikës të dy zonjave Rama, një e bashkisë dhe një e prokurorisë dhe është e lidhur drejtpërdrejt me luftën që bën gazeta dhe media bashkë me shtëpinë botuese që unë drejtoj, kundër segmenteve të gënjeshtrës, mashtrimit dhe implikimit në krime të vjetra dhe të reja”, - ka deklaruar Balliu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›