Ministrat e PD-së nisin një tur llogaridhënieje
Nën moton “Shqipëria po ndryshon”, pjesa më e madhe e ministrave të PD-së në kabinetin e qeverisë, kanë nisur një tur në mbarë vendin. Përveç premtimeve dhe projektit për mandatin e dytë, qëllimi kryesor është ballafaqimi me elektoratin. Bilanci i punës së qeverisë, por edhe bashkëbisedimi, kanë qenë në qendër të turit. Kështu, ministrat Sokol Olldashi, Enkelejd Alibeaj, Jemin Gjana, Fatos Beja si dhe nënkryetari i partisë, Astrit Patozi, kanë zhvilluar takime me banorët në disa qarqe.
Secili nga ministrat ka pasur në ngarkim një qark përkatës nga ku ka nisur takimet me elektoratin. Ministri i Transporteve, Olldashi, ka zhvilluar ditët e fundit një fushatë aktive në qarkun e Fierit dhe Tiranës. Në zonat e Fierit Olldashi është shoqëruar edhe nga Alibeaj dhe Beja. Ai ka realizuar edhe mjaft takime në komunat përreth Tiranës.
Nënkryetari i partisë, Astrit Patozi, ishte dje në qarkun e Vlorës, ku është takuar me banorët e zonës. Takimet e ministrave, por edhe takimet e tij, ai i ka cilësuar si një tur parazgjedhor. “Tur bilanci e bashkëbisedimi”, janë përkufizuar lëvizjet e shpeshta të ministrave në rrethe nga ana e Patozit.
Në fakt, gjatë takimeve në zona, ministrave u është dashur të dëgjojnë banorët nga afër si dhe të përballen me premtimet e dhëna në vitin 2005. Sipas tyre, realizimi i premtimeve në këtë mandat qeverisës ka bërë që në zonat ku ata të shkojnë të priten nga qindra banorë të zonës.
Olldashi ishte dje në disa komuna rreth Tiranës, ku nga Sukthi deklaroi se qeverisja e djathtë përmbushi premtimet e saj. “Kemi ardhur për të dhënë llogari ashtu siç jepet llogari në një marrëdhënie besimi, në një marrëdhënie besimi siç e ndërtuam katër vite më parë”, - është shprehur Olldashi. Ai më tej tha se investimet në periudhën e kësaj qeverisjeje kanë qenë disa herë më shumë se në kohën e socialistëve. Ministri Olldashi ka akuzuar kreun e PS-së si të korruptuar me lejet e ndërtimit si dhe kërkoi që Rama të dorëzojë planin rregullues të qytetit.
Nënkryetari i PD-së, Patozi, në takimet me banorët e qarkut të Vlorës, tha se premtimet e qeverisë ishin të prekshme në vitin 2005 dhe ato u realizuan. “Ajo për të cilën ju kërkuam votën katër vjet më parë, sot është e prekshme për gjithkënd, për dyfishimin e pensioneve të ulëta në fshat, dyfishimin e rrogave të infermierëve, mjekëve dhe të arsimtarëve, uljen e taksave, investimet në infrastrukturë e luftën e zhvilluar kundër korrupsionit, të gjitha këto të arritura me përkushtim, devotshmëri, detyrim ndaj votës së besuar, me punë dhe vetëm me punë”, - deklaroi Patozi. Ne komunën Armen, Patozi përmendi dhjetëra investime të realizuara si rrugë, ujësjellës dhe shkolla, duke shprehur bindjen për një mandat të dytë. “Ndaj ne shkojmë të sigurt drejt një mandati të dytë, drejt një mandati tjetër qeverisës”, - tha ai. Patozi përmendi edhe opozitën socialiste, të cilën e cilësoi si një “xhaketë të kthyer mbrapsht, që përpiqet ta paraqesë si politikë të re”. Sipas tij, Rama hesht si “si peshku në ujë” kur flet për një tragjedi si Gërdeci, por nuk përmend asnjëherë emrin e Delijorgjit.