Fahri Balliu: Po më sulmojnë politikisht
Këshilltari i kryeministrit: Vajza ime ka qenë aksionere me 20% por është larguar. Firma vdiq sapo lindi
TIRANË- Disa orë pas daljes publike të kryeprokurores Rama ka reaguar edhe këshilltari i kryeministrit, Fahri Balliu. Ai e ka cilësuar çështjen si një sulm politik dhe është shpjeguar se e bija vetëm sa është bërë aksionere por nuk ka kryer asnjë veprim tjetër në firmën e përbashkët me Delijorgjin.
"Në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë, nuk ka asnjë lidhje me këtë firmë e cila vdiq sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente, emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë",- tha dje Balliu.
Por dokumentet e firmës tregojnë se ajo është ende aktive dhe veprimi i fundit është kryer në shkurt të këtij viti. Në lidhje me këtë pikë Balliu u përgjigj: Ata bëjnë punën e tyre. Se çfarë bëjnë ata, është tjetër çështje. Unë po flas për pjesën time, e cila është e vdekur. Nuk ka aktivitet. Kjo është lehtësisht e provueshme, sepse janë dokumentet e bankës. Por, pikërisht këto dokumente kanë frikë".
"Unë mendoj se ky sulm, është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentet e krijimit të kësaj ndërmarrjeje kanë qenë me kohë në prokurori: është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime",- tha Balliu. Më pas ai ka sqaruar pozicionin e të bijës duke thënë: Kur është krijuar kjo shoqëri, vajza ime ka marrë pjesë me 20% aksione në fitim.
Kjo firmë do të mblidhte dhèra. Në momentin që ajo ka firmosur, që i bie të ketë qenë shkurti i 2006-ës, pra nga ky moment dhe deri më tani që ne po flasim, ajo ka aq dijeni - bashkë me mua - për këtë firmë, sa keni dijeni edhe ju, apo ndonjë qytetar që kalon në rrugë",- shpjegoi Balliu por pa dhënë një shkak konkret përse vajza e tij u largua nga biznesi.