Një i vdekur në aksident, policia arreston drejtuesin e mjetit
Një 35-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi u përplas nga një automjet teksa tentonte të kalonte rrugën.
Aksidenti ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në rrugën e Institutit Bujqësor në Tiranë, automjeti foristradë tip "Jeep" ZH 544873 që drejtohej nga Shkëlqim Matoshi, 33-vjeç lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë ka përplasur këmbësorin Nikoll Marku 35-vjeç. Ky i fundit po tentonte të kalonte nga ana e djathtë në anën e majtë të rrugës por ka gjetur vdekjen.
Ka qenë e kotë përpjekja për t'i dhënë ndihmën e parë 35-vjeçarit pasi goditja ka qenë fatale për të. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërritën e ekspertët e hetimit të aksidenteve për të zbardhur rrethanat.
Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para rezultoi se përgjegjësi i aksidentit ishte drejtuesi i mjetit Shkëlqim Matoshi ndaj të cilit u mor dhe masa e arrestit për veprën penale të 'shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Prangoset një shpërndarës marijuane
Antidroga e policisë së Tiranës, arreston pronarin e një lokali i cili dyshohet prej tyre si shpërndarës droge. Mbrëmjen e së martës, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimin 27-vjeçarit Alfred Xhaferri, lindur në Buz Mal, Krujë dhe banues në Bathore të Tiranës.
Burime nga policia thanë se prangosja e të riut u krye pasi në një lokal në Bathore, të cilin ai e kishte marrë me qera, u gjet një sasi bime narkotike "Cannabis Sattiva". Policia ushtroi një kontroll në lokal ku u gjetën 14 qese me bimë narkotike "Cannabis Sattiva", të cilat Xhaferri e mbante të fshehura nën banak.
Në cilësinë e provës materiale të arrestuarit ju sekuestrua 44.4 gramë, bimë e dyshuar "Cannabis Sattiva", ndërsa ai akuzohet për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Dyshohet se ai u shiste bimë narkotike klientëve të lokalit.