Masakron gruan për xhelozi
Arjan Danaj, qëlloi bashkëshorten e tij me kaçavidë në makinë, ndërsa policisë i tha se tentuan ta grabisnin
Arrestohet me akuzën e vrasjes autori i krimit, ndërsa gruaja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spital
Masakron me kaçavidë bashkëshorten pas sherrit për xhelozi, dhe për t'i shpëtuar arrestimit, simulon grabitje.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë kur Arjan Danaj, 45-vjeç, lajmëroi policinë se bashkëshorten e tij Valentina Danaj 35-vjeçe kanë tentuar ta grabisin disa persona të cilët e kanë goditur me sende të forta. Sipas 45-vjeçarit, grabitja kishte ndodhur në rrugën "5 Maji" në Tiranë kur ajo po kthehej në banesën e saj.
Ndërkohë që e dëmtuara u transportua në Spitalin Ushtarak ku pas ndërhyrjes mjekësore gjendja e saj u përmirësua.
Në një kohë ku oficerët e zyrës së luftës kundër vjedhjeve me dhunë e armë, por hetonin për të identifikuar autorët e grabitjes, Valentina Danaj dëshmon nga spitali se ngjarja që i ishte servirur policisë nuk ishte e vërtetë dhe se ajo ishte plagosur nga bashkëshorti i saj.
Dëshmia e 35-vjeçares u verifikua edhe nga provat që policia siguroi më vonë duke çuar në qeli Arjan Danaj për "plagosje të rëndë me dashje" dhe "kallëzim të rremë".
Ngjarja
Pasditen e së martës Valentina Danaj ndodhej ende në zyrën e saj pranë "21 Dhjetorit" në Tiranë ku ushtronte profesionin e saj si Notere. Kur po përgatitej të largohej pas përfundimit të orarit zyrtar në detyrë, në zyrën e saj ka mbërritur bashkëshorti Arjan Danaj, i cili dyshohet se ka shkuar për ta marrë me qëllim që ta shoqëronte në shtëpi.
45-vjeçari Danaj, dyshonte se gruaja e tij kishte një lidhje jashtëmartesore, madje ai kishte shprehur te ajo shpeshherë shenja xhelozie. Një debat për të njëjtën çështje dyshohet të ketë filluar në zyrën e 35-vjeçares dy ditë më parë.
Pas fjalëve të ndërsjella, Danaj ka goditur me thikë gruan e tij dhe më pas e ka marrë në makinë dhe e ka transportuar atë të plagosur deri në rrugën "5 Maji" ku dhe e ka zbritur nga automjeti. Pasi e ka lënë në rrugë të plagosur, dyshohet se Danaj e ka goditur sërish bashkëshorten e tij dhe më pas i ka marrë çantën për të simuluar ngjarjen si grabitje.
Denoncimi
"Gruan time e kanë grabitur dhe e kanë goditur rëndë me kaçavidë" ka njoftuar policinë 45-vjeçari Arjan Danaj. Për këtë të fundit duket se ngjarja mund të besohej nga policia, pasi orari kur përfundon punën 35-vjeçarja ishte pikërisht në kohën kur ndodhi ngjarja, ndërsa grabitja sipas tij ndodhi teksa ajo po kthehej për në banesë.
Fillimisht policia regjistroi ngjarjen si grabitje duke nisur dhe hetimet për të identifikuar e kapur autorët. Arjan Danaj u mor në pyetje dhe tregoi versionin e tij duke i qëndruar "besnik" grabitjes. Por dëshmia e gruas së tij në spital ka rrëzuar kryekëput variantin e 45-vjeçarit.
"Valentina Danaj tregoi se ishte plagosur nga bashkëshorti i saj pas një sherri për motive xhelozie. Më pas policia nisi verifikimet ku pas kontrollit në makinën e Danaj u gjetën dhe shenja gjaku që mund të jenë të 35-vjeçares të lëna teksa transportohej nga zyra e saj drejt rrugës "5 Maji" ku do të ishte skena e krimit e përgatitur nga Danaj.
"Për më shumë se 12 orë ngjarja po hetohej si grabitje, ndërsa ditën e djeshme u arrit të dokumentohej tërësisht ajo si plagosje dhe që kishte për autor bashkëshortin e të dëmtuarës. Ndaj tij u mor masa e arrestit për veprat penale të "Plagosjes së rëndë me dashje" dhe "Kallëzimit të rremë" thanë për "Shekullin" burimet policore.