Ina Rama: Po hetojmë dyshen Delijorgji- Balliu
Kryeprokurorja pohon se ka nisur hetimet për firmën e shkaktarit të tragjedisë së "Gërdecit" dhe këshilltarit të kryeministrit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet në lidhje me firmën e "fshehtë" të Mihal Delijorgjit dhe ortakërinë e tij me persona të afërt të kryeministrit Berisha. Ekzistenca e kësaj firme ka qenë e njohur për grupin hetimor të çështjes së "Gërdecit" por ende nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore që do të shpinin deri në sekuestrimin e saj.
Kryeprokurorja Rama ka shpjeguar dje se kur të mbarojë procedura ligjore, kjo firmë do të sekuestrohet si të gjitha të tjerat ku është aksioner Mihal Delijorgji. Madje ajo ka qortuar prokurorët që nuk sekuestrojnë të gjitha pasuritë e të pandehurve.
Delijorgji
"Kam pasur dijeni për atë kompani. Ne po bëjmë verifikimet, për momentin jemi në këtë fazë",- tha dje kryeprokurorja Ina Rama në lidhje me skandalin e firmës së fshehtë të Mihal Delojorgjit. Kompania është "Trans Digging Construction" dhe Delijorgji është aksioner së bashku me vajzën e Fahri Balliut, një prej njerëzve të afërt dhe "këshilltarët" e kryeministrit Berisha.
Aksioneri tjetër është edhe vëllai i Mihal Delijorgjit, Kristo. Firma është themeluar në vitin 2006 por vetëm pak ditë më parë dy prej aksionerëve kanë lënë pjesën e tyre duke ia dhuruar aksionerëve të tjerë. Kjo firmë vazhdon që të jetë edhe aktive dhe kjo gjë vërtetohet nga transaksioni i fundit i kryer në shkurt të këtij viti kur dy prej aksionerëve u larguan nga firma.
Pas largimit të dy prej aksionerëve themelues, njëkohësisht njëri prej tyre edhe administratori i kompanisë, mbetën aksionerë dy vëllezërit Delijorgji dhe vajza e Fahri Balliut, Henris Balliu. Mihal Delijorgji ndodhet ende në burg, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor kundër tij dhe gjatë kësaj kohe pjesa e tij në kompani është administruar nga i vëllai.
Ky i fundit ka kryer të gjitha veprimet si dhe ka dhënë pëlqimin e tij për hyrjen e aksionarit tjetër, i cili do të ketë 40% të aksioneve. Hetuesit e çështjes "Gërdeci" janë justifikuar se nuk kanë mundur që të marrin materialin e saktë nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. "Ne kemi marrë dijeni për këtë rast.
Të dhënat tona tregonin se Delijorgji ishte aksioner dhe kemi nisur hetimin përkatës. Një ndër veprimet ishte marrja e të dhënave nga QKR dhe pikërisht këtu ka mbetur hetimi",- thanë burimet e grupit hetimor të çështjes.
Sekuestrimet
Pa përmendur konkretisht firmën ku është aksioner Mihal Delijorgji dhe vajza e Fahri Balliut, Henrisa, kryeprokurorja Ina Rama kritikoi vartësit e saj për neglizhencën në sekuestrimin e të gjitha pasurive të personave të implikuar në krime.
"Ne jemi të ndërgjegjshëm që goditja financiare që i bëhet një individi që ka prodhuar biznes, që ka prodhuar pasuri nëpërmjet aktivitetit të tij kriminal është ajo që shkatërron sportin themeltar të tij, ajo që e mban atë në këmbë.
Puna e prokurorisë nuk do të jetë asnjë herë e mirë nëse është shmangur hetimi financiar që është një detyrim ligjor. Nuk duhet konsideruar si një veprim opsional që prokurori do e bën, do nuk e bën",- tha dje kryeprokurorja Ina Rama teksa kishte në krah kreun e hetimeve të çështjes së "Gërdecit".
Kujdes me masat e sigurisë
Një pikë ku kryeprokurorja Rama nuk ishte dakord me punën e vartësve të saj por edhe të gjykatave ishte vendosja e masave tepër të ashpra të sigurisë për personat që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore ose kanë kryer krime minimale.
Një tjetër pikë ishte arrestimi i të miturve që akuzohen për vepra të lehta. Sipas saj, në këtë rast prokurorët janë shumë pasivë. "Pasiviteti tregohet edhe në faktin që prokurorët presin nga policia t'iu dërgojë materialet apo të kryejë veprimet ndërsa vetë nuk angazhohen në vepra të tilla",- tha kryeprokurorja Ina Rama.