Kapet në port në Durrës, mashtruesi i tokave
Ajet Ruzi, 63 vjeç, është kapur pas mbërritjes nga Italia, ndërsa akuzohet për përvetësim trojesh
TIRANE- Arrestohet në Durrës, menjëherë pas zbritjes nga trageti, 63- vjeçari Ajet Ruzi, pronar i firmës Kozmos Imp- Exp, në Kavajë, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe për tjetërsim të trojeve, në zonën e Golemit për ndërtimin e një kompleksi banesash në zonën e plazhit.
Në hetim për të njëjtën situatë, mësohet se janë marrë zyrtarë të Ministrisë së Turizmit, si dhe të komunës së Golemit.
Arrestimi i tij, është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët kanë pohuar se 63- vjeçari është arrestuar sapo ka zbritur në portin e Durrësit nga trageti me të cilin kishte udhëtuar nga Italia, ndërsa oficerët e zyrës së Antikorrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ata të komisariatit të Portit të Durrësit.
Sipas burimeve të policisë, i arrestuari është marrë nën hetim dhe më pas ndaj tij është prerë një urdhër arresti, pasi dyshohet se ka përvetësuar dhe më pas tjetërsuar një sipërfaqe trualli një personi të quajtur Enver Zeqo, i cili sipas burimeve ishte edhe pronari i ligjshëm i sipërfaqes.
Dyshohet se në këtë aferë Ruzi, është favorizuar nga Komuna e Golemit dhe nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës. Në Golem, Ruzi, mësohet se ka ndërtuar një kompleks banimi dhe ambjentesh tregtare në zonën e plazhit.
Abuzimi, sipas burimeve të policië mendohet se është kryer gjatë periudhës 2005- 2008, ndërsa hetuesit e Prokurorisë dhe të Policisë, kanë nisur hetimin në bazë të kallëzimit të të dëmtuarit. Veç tij, burimet e policisë thonë se dyshohet se të mashtruar në një formë të tillë janë edhe pesë persona të tjerë të cilët po verifikohen.
Hetimi mësohet se ka më tepër se katër muaj që ka nisur ndërsa në cilësinë e provës materiale janë marrë materiale shkresore, të administruara nga hetuesit. Nuk dihet nëse ka persona të tjerë që mund të arrestohen, por burimet thonë se ka persona të tjerë të cilët gjithashtu janë nën hetim për të njëjtën çështje.