E Shtunë, 31 Tetor 2026

ICITAP-i, ndihmë financiare 2 policëve të Kukësit

Përfaqësues të misionit këshillimor të SHBA-së, i dorëzuan Prençit dy ditë më parë ndihmën për Dobrushën dhe Hilën

Bashkë me ndihmën e mbledhur nga personeli amerikan dhe shqiptar, familjeve iu është dorëzuar edhe një shpërblim prej 6 pagash

TIRANE- Gjashtë paga shpërblim dhe një ndihmë ekonomike e dhënë me kontributin e personelit të ICITAP-it, iu dorëzohet familjeve të dy policëve të vrarë.

Ndihma iu është dorëzuar familjeve të policëve të vrarë dje gjatë një vizite në familjet e tyre të një grupi të krerëve të Policisë së Shtetit, që kryesohej nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Lajmi është bërë i ditur nga burime të këtij institucioni si dhe nga zëdhënësi Klodian Branko.

Sipas Brankos, të martën në mesditë një grup i punonjësve të misionit këshillimor të qeverisë amerikane për Policinë, ICITAP, kishin mbledhur në mënyrë vullnetare një shumë parash për dy efektivët e vrarë, nga Afrim Hasani, Ramazan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi.

"Një grup nga ICITAP-i, i dorëzuan Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dy zarfe në të cilët ndodhej një sasi parash, të adresuara për dy policët e vrarë",- tha zëdhënësi Branko.

Pasi ka falënderuar përfaqësuesit e ICITAP-it, për ndihmën, kreu i Policisë, Prençi, ka autiorizuar zëvendësin e tij që t'iu dorëzojë ndihmën familjeve të efektivëve Dobrushi dhe Hila.

Ndërkaq, veç ndihmës së dhënë nga ICITAP-i, kreu i Policisë së Shtetit, ka akorduar një fond prej 6 pagash shpërblim, për secilin prej efektivëve Hila dhe Dobrushi.

Ndërkaq, gjat ditës së djeshme, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i shoqëruar nga oficerë të lartë të Policisë, kanë mbërritur në qytetin e Kukësit për t'iu dorëzuar ndihmën e mbledhur nga personeli i ICITAP-it. Dy zarfet iu janë dorëzuar familjeve të policëve të vrarë nga vetë Burgaj.

Bashkë me zarfet e ICITAP-it, Burgaj iu ka dorëzuar gjithashtu edhe shpërblimin prej gjashtë pagash akorduar nga kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi.


Vrasja e policëve


Shkëlzen Dobrushi dhe Ramazan Hila, efektivë të policisë rrugore të Kukësit, mbetën të vrarë më tepër se dy javë më parë nga Afrim Hasani, në rrugën kombëtare pranë fshatit Shënmëri të Kukësit, ku ata ishin me shërbim.

Shkak për krimin e rëndë të ndodhur ndaj dy policëve, ishte denoncimi tyre ndaj Hasanit për fyerje dhe goditje të tyre ndërsa ishin në krye të detyrës disa ditë përpara ngjarjes.

Hasani, sipas hetimit të kryer ishte grindur me pronaren e një lokali në Shënmëri, ndërsa më pas gruaja iu kishte kërkuar policëve ta ndalonin. Kur Dobrushi dhe Hila, tentuan ta ndalonin, Hasani goditi njërin prej tyre si dhe theu xhamin e makinës.

Pas këtij veprimi dy efektivët denoncuan në prorkurori, veprimin e Hasanit, ndërsa ky i fundit u mundua të negocionte. Tri ditë pas kësaj ngjarjeje, autori ka shkuar sërish në vendin ku ishin me shërbim policët, ndërsa qëlloi në drejtim të tyre duke i lënë të vdekur të dy.

Një ditë pas ngjarjes, efektivët e forcave speciale arrestuan autorin e ngjarjes në një banesë të braktisur disa kilometra larg vendit të ngjarjes.

Aktualisht Hasani, po gjykohet nga Gjykata e krimeve të Rënda, me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, për shkak të detyrës, si dhe akuza të tjera që lidhen me veprimet e personit të arrestuar për vrasjen e dy policëve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›