E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadeli: “Kryeministri Berisha të nisë dëmshpërblimet për familjet e dëmtuara”

Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Gjovalin Kadeli, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha të dëmshpërblejë familjet e dëmtuara në Veri të vendit nga përmbytjet. “Në emër të të gjitha familjeve të dëmtuara që kanë humbur shtëpi dhe të mbjella, në emër të të gjithë atyre që sot vuajnë pasigurinë e së nesërmes, i kërkojmë Sali Berishës të nisë menjëherë dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara”, - u shpreh Kadeli.
Ai i bën thirrje Berishës të jetë i përgjegjshëm për të mbajtur nën kontroll argjinaturat dhe hidrovoret nga baticat detare, sidomos hidrovori i Tales, i cili është i pambrojtur. “Nuk mund dhe nuk do të ndodhë dy herë në Lezhë që të premtohen dëmshpërblime dhe më pas të dëmtuarit të harrohen”, - tha deputeti Kadeli, duke shtuar se “Sali Berisha ta lërë teatrin, bashkë me Jozefinën, dhe të dëmshpërblejnë shqiptarët dhe të çojnë para Drejtësisë përgjegjësit e kësaj katastrofe”. Sipas tij, dëmshpërblimi të mos gjendet nga paratë e shqiptarëve, të cilët, sipas tij, po e paguajnë shumë shtrenjtë nga xhepat e tyre paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e Berishës, por nga xhepat e majmur të oborrit. “Partia Socialiste është me deputetët e saj në çdo fshat ku ka emergjencë. Thirrja jonë për solidaritet të të gjithë shqiptarëve me gjendjen e krijuar është e përditshme”, - u shpreh Kadeli. Sipas tij, situata në Veri kërkon përgjegjshmëri, të cilën qeveria aktuale nuk e ka. Deputeti Kadeli bëri me dije se janë ngritur grupet e vullnetarëve edhe nga biznesi për t’u ardhur në ndihmë banorëve. “Ne po bëjmë detyrën karshi bashkëqytetarëve, por nuk mund të heshtim përballë neglizhencës së vazhdueshme të atyre që qeverisin. Dhe nuk do të heshtim deri në dëmshpërblimin e qindarkës së fundit për dëmet e krijuara për këta banorë nga kjo qeveri që së shpejti do të përmbytet”, - përfundoi deputeti Kadeli.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›