E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinsman: Jemi në kërkim të një sulmuesi

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Jurgen Klinsman, ka konfirmuar për herë të parë se klubi është në kërkim të një sulmuesi. Pas dështimit në nënshkrimin e një marrëveshjeje me mesfushorin Sejad Salihoviç të Hofenhajmit, vjen edhe lajmi se është hapur gjuetia për një lojtar të repartit ofensiv. Gjigandët bavarezë po mbajnë nën vëzhgim merkaton dhe blerja do të jetë shumë e mundshme që të realizohet në muajin janar. Duke iu përgjigjur pyetjes së "Bild"-it, trajneri 44-vjeçar i Bajernit, Klinsman ka konfirmuar, se prioriteti numër një i tij është gjetja e sulmuesit, i cili do të përforconte skuadrën e tij. "Kemi në dispozicion 5-6 muaj për të parë se çfarë mund të bëhet, ka shpjeguar ai. Ne dëshirojmë të jemi në krye të tabelës në kohën e Krishtlindjeve. Këshilli administrativ është mbledhur, ka diskutuar dhe tashmë janë përcaktuar edhe emrat që synohen". Nevoja e Bajernit për sulmues tjetër është stimuluar nga paraqitja jo e mirë në javët e fundit e Luka Tonit, i cili vuan nga një dëmtim. Miroslav Klose e Lukas Podolski kanë treguar përmirësime, por te Bajerni alternativat janë të pakta. "Jemi në një situatë të vështirë, vazhdon më tej Klinsman. Të shkosh deri në fund të sezonit me tre sulmues të vetëm nuk është ideale. Kemi alternativa si Frenk Riberi e Tim Borovski, i cili mund të luajë në rolin e sulmuesit të avancuar. Mund të luajmë me një modul tjetër, si 4-5-1, por do të jemi vazhdimisht në kërkim të lojtarëve të tjerë". Nëse nuk do të jetë e mundur që të marrin ndonjë në merkaton e dimrit, atëherë është e sigurt që në muajt e verës do të marrin patjetër. "Kemi shumë kontakte me disa lojtarë dhe zbuluesit tanë kanë bërë një punë shumë të mirë. Gjithçka po ecën në rrugë të mbarë, -shtoi Klinsman. Nën vëzhgim kemi një sërë talentesh".

Edhe pse ka bërë investime të konsiderueshme në sezonet e fundit, si blerja e lojtarëve të njohur Luka Toni dhe Frenk Riberi, klubi i Bajernit të Mynihut ka regjistruar edhe një herë një shifër të madhe të ardhurash vjetore. Sikurse është bërë e ditur dje nga vetë drejtuesit e klubit bavarez, shuma e të ardhurave të sezonin e fundit ka shënuar një rekord.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›