E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet ‘mbërthejnë’ Kosovën, policia arreston 6 persona

 

Fenomeni i fajdeve ka mbërthyer Kosovën në tranzicion, jo në skemat piramidale siç ndodhi vite më parë në Shqipëri, por në grupe të organizuara, të cilët i jepnin hua disa personave para dhe i kërkonin kthimin e tyre në interesa marramendëse.Sipas mediave të vendit, ky fenomen ka ekzistuar që para luftës, por asnjëherë nuk është diskutuar për të si një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë, deri pas një denoncimi të ndodhur ditë më parë. Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e gjashtë personave, një prej të cilëve oficer policie. Me dyshimin për marrjen e fajdeve dje u arrestuan Dalip Sopjani, Hashim Sopjani, Vehbi Demolli, Arton Demolli, Bashkim Sadiku dhe Nuhi Sopin, ndaj të cilëve është ngritur kallëzimi për veprën penale: “Kontraktim të Përfitimit Joproporcional (fajde)”, proces i ndaluar nga neni 270 dhe Detyrim nga neni 267 i Kodit të Procedurës Penale. Rreth një muaj më parë një qytetar nga Prishtina kishte paraqitur në polici ankesën e tij mbi fenomenin. Policia kishte nisur hetimet dhe më 17 tetor 2008 ka arrestuar Dalip Sopjanin, 27 vjeç nga Prishtina, si dhe kishte shoqëruar për në polici babanë e tij, 54-vjeçarin, Hashim Sopjani. Këta dy persona ishin arrestuar në shtëpinë e viktimës, kur kishin shkuar për të kërkuar paratë me interesat e tyre. Por ky nuk ishte rasti i vetëm. Tashmë fajdetë duket se janë kthyer në Kosovë në një biznes të vërtetë, edhe pse të ndaluar nga normat e shtetit të ri. Më pas, më 20 tetor 2008 policia e Kosovës ka arrestuar Vehbi Demollin, 54 vjeç dhe Arton Demollin 31 vjeç, ndërsa më 21 tetor 2008 është arrestuar Bashkim Sadiku, 32 vjeç, pjesëtar i Policisë së Kosovës, me gradën rreshter dhe punonjës në Operativën Rajonale të Prishtinës. Në kallëzim penal policia ka përfshirë edhe të dyshuarin e gjashtë për këtë rast, Nuhi Sopin, 36 vjeç. Dyshohet se viktima kishte pranuar para nga të dyshimtët dhe që nga viti 2007 e deri më tani shuma së bashku me interesin kishin arritur në përafërsisht 500 mijë euro. “Për shkak të natyrës së kësaj vepre penale dhe si rezultat i saj, ne kemi të regjistruar në Kosovë plagosje, tentim vrasje, vetëvrasje e deri edhe vrasje. Në dhënien e fajdeve, janë përfshirë njerëzit që kanë para, të cilat janë të fituara në mënyrë të jashtëligjshme”, thuhet në komunikatën e policisë së Kosovës. Sipas policisë, dukuria e fajdeve ka filluar përafërsisht dy vite më parë, në rastin konkret por policisë së Kosovës i janë dashur rreth katër javë kohë për të ndaluar katër të dyshuarit dhe të ngrejë kallëzimin penal për gjashtë persona. “Çdo qytetar duhet të kuptojë se përpos interesave të bankës, askush tjetër nuk është i autorizuar ta bëjë këtë dhe në momentin kur e shohin se dikush është duke përfituar nga ta, ato raste t’i paraqesin në policinë e Kosovës”, paralajmërohet nga policia e shtetit të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›