E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, shpërthen pusi në mesnatë, banorët lënë shtëpitë nga gazi

 

FIER - Një ngjarje e rëndë është përsëritur për banorët e Fierit, të cilët tashmë mund të quhen të stërvitur në raste paniku. Shpërthimi i një tjetër fontane gazi në një pus nafte ka shënuar rastin dytë, vetëm pak javë pas alarmit që krijoi një tjetër pus në Zharrëz e që shkaktoi ndotje të madhe në mjedis. Këtë herë, ngjarja ndodhi pranë fshatit Verri mesnatën e së premtes. Sapo është dëgjuar zhurma e gazit e më pas ajri i rëndë, që vinte prej andej, banorët janë alarmuar duke dalë në rrugë me shpejtësi. “Ishim në gjumë kur dëgjuam kolpo të fuqishme. Pusi kishte shumë vite, që nuk punonte dhe kjo e bënte të parrezikshëm. Pamë nga dritarja dhe dilte vetëm gaz. Ishte dhe errësirë dhe nuk po kuptonim çfarë po ndodhte. Mora në telefon një fqinjin tim për ta zgjuar, pasi dritat në shtëpinë e tij ishin të fikura. Të dy dolëm jashtë, por ajri ishte tejet i ndotur sa nuk mund të merrje dot frymë. Nxorëm fëmijët nga shtëpia dhe i mbajtëm në makina se nuk kishim ku t’i çonim”. Kështu ka treguar një banor i zonës, i cili së bashku me më shumë se 700 banorë të tjerë kanë dalë nga shtëpitë dhe kanë shoqëruar familjarët e tyre larg shtëpive. Shpërthimi ndodhi në një prej puseve të ndalur të kompanisë “Albpetrol”. Pusi me emrin “Bubullima ‘99" ka shpërthyer krejt papritur. Intensiteti i daljes së gazit ka zgjatur rreth katër orë, por ai përsëri është aktivizuar në mëngjes. Sipas specialistëve, ky pus nuk përbënte rrezik, pasi nuk ishte ndërhyrë për ta aktivizuar. Ata kanë hedhur dyshimet, se dikush ka tentuar që të vjedhë skrap, duke provokuar lëvizjen e saraçineskën.          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›