E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kundër EULEX-it

 

Serbët në veri të Mitrovicës kanë nisur nënshkrimin e një peticioni, me të cilin duan të kundërshtojnë vendosjen e misionit evropian në Kosovë. Nënshkrimi i këtij peticioni është inkurajuar nga strukturat paralele në komunat Serbe në Kosovë, nën moton, “STOP EULEX”. Serbët e Kosovës e konsiderojnë të jashtëligjshëm këtë mision, sepse sipas tyre, ai nuk ka marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Serbisë. Për shumë ditë ata kanë protestuar kundër këtij misioni të nxitur nga nacionalistët, që drejtojnë institucionet paralele të jashtëligjshme në Kosovë.  “Ky është një hap i jashtëligjshëm, sepse Kombet e Bashkuara nuk e kanë lejuar vendosjen e EULEX-it. Nëse OKB-ja e lejon atë, edhe ne do ta lejojmë”, shprehet një qytetar serb, pasi vendosi firmën e tij në peticion. Nënkryetari i Kuvendit paralel serb, Marko Jakshiç ka paralajmëruar se peticioni do të nënshkruhet edhe në vendbanimet e tjera serbe, jo vetëm në Mitrovicë. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka dërguar në Beograd të premten një zyrtar të tij, z.Stephan Lehne për të vazhduar bisedimet me autoritetet serbe për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Lehne tha, se BE është pranë arritjes së një marrëveshje me Serbinë për gjetjen e formulës për funksionalizimin e misionit evropian me miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›