Fajon: Dyndja për azil po dëmton Shqipërinë
Raportuesja për liberalizimin e vizave në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i informojnë qytetarët për këtë proces, në mënyrë që kriza e azilkërkuesve të mos rrezikojë edhe Shqipërinë e Bosnjën. Eurodeputetja sllovene deklaroi se rritja e azilkërkuesve të ardhur nga Maqedonia e Serbia në Belgjikë e Gjermani, mund të krijojë dilema dhe frikë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Sipas saj, këto probleme do të ndikonin në vende si Shqipëria dhe Bosnja, që presin liberalizimin e vizave. “Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’u dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave”, deklaroi Fajon. Tanja Fajon, europarlamentarja sllovene, ka deklaruar se rritja e numrit të azilkërkuesve nga shtete si Serbia e Maqedonia po pengon liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Sipas Fajon, politikanët e këtyre vendeve duhet ta ndalojnë menjëherë këtë fluks. “Ne jemi në mes të përgatitjeve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë e Bosnjën. Nëse ka një pozicionin negativ për shkak të shtimit të numrit të azilkërkuesve që vijnë në Belgjikë, vendet e BE-së do të jenë më shumë të shqetësuara, çka do të çonte në ngadalësimin e procedurave. Politikanët duhet ta ndalojnë menjëherë fluksin e emigrantëve të rinj që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”, ka deklaruar Fajon. Ajo çfarë ka ndodhur me strehimkërkuesit nga Maqedonia e Serbia, “në asnjë mënyrë nuk duhet ta dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”, përfundon deklarata e europarlamentares sllovene.
#