E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: E zhgënjyer nga Shqipëria

Sipas saj, vendi po humbet shumë kohë.

“Fatkeqësisht Shqipëria po humbet vazhdimisht kohë të çmuar në rrugën e saj drejt integrimit Evropian. Shpesh zhgënjehem duke parë ‘bllokimet”politike midis qeverisë dhe opozitës. Është e rëndësishme të kesh dialog; të bisedosh me njëri tjetrin për të mirën e vendit. Qytetarët e meritojnë këtë. Kjo kohë e humbur duhet të kompensohet në një farë mënyre. Reformat duhet të plotësohen. E vetmja perspektivë e Shqipërisë është Bashkimi Evropian. Kështu që për hatër të brezit të ri, dëshiroj ta shikoj vendin tuaj të ecë përpara me një hap më të shpejtë dhe kjo është përgjegjësi e politikanëve të këtij vendi. Është një vit elektoral dhe si i tillë do të jetë një provë tjetër që do të testojë maturimin e Shqipërisë”, tha Fajon për Gazeta Shqiptare.

Në lidhje me dorëzimin e Planit të Veprimit nga qeveria shqiptare, Fajon u shpreh se koha do ta tregojë se sa serioz është ky angazhim, ndërsa pohon se është pesimiste për marrjen e statusit këtë vit. “Gjithçka që mund të them është se koha do të tregojë se sa serioz do të jetë ky angazhim. Në të shkuarën ne shpesh jemi zhgënjyer. Premtimet janë bërë por ka dështuar përmbushja e tyre. Ky vit mund të jetë kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat por jam pesimiste. Do ti bëja thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të mos humbnin kohë dhe të bashkonin të gjitha përpjekjet e tyre për një të ardhme më të mirë, të sigurt dhe të begatë”. /Start/

                                                                                             2012-04-04 09:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›