E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajon: Vizat mund të ndajnë Ballkanin

Heqja e vizave nga ana e BE-së për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, që filloi më 19 dhjetor 2009, në pamje të parë, duket si një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin. Megjithatë, ajo mbart në vetvete edhe rrezikun e konfrontimit, sepse shtetasve të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës vizat ende nuk u janë hequr, vihej në dukje në një koment të stacionit radio-televiziv gjerman "Dojçe Vele", që u referohej fjalëve të raportueses së Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Tanja Fajon. "Vendimi për të mos u hequr vizat Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës ndoshta, nga ana e teknike, është në rregull, por ai ka shumë pasoja politike negative për rajonin. Në Bosnjë e Hercegovinë (B-H), disa grupe banorësh do mund të udhëtojnë pa viza për në vendet e BE-së, por jo boshnjakët. Ne i kemi izoluar ata, duke krijuar ndarje të reja në Ballkanin Perëndimor", tha znj. Fajon, duke pasur parasysh se serbët boshnjakë dhe kroatët boshnjakë, duke pasur, veç pasaportave të vendit të vet (Federatës së B-H-së), edhe ato të Serbisë dhe të Kroacisë, do të mund të udhëtojnë për në vendet e BE-së, por jo boshnjakët myslimanë. Shumë politikanë vendës (boshnjakë), me këtë rast, vënë në dukje se kështu krijohen dy kategori qytetarësh mbi bazën e përkatësisë etnike dhe se BE-ja, duke vepruar kështu, përdor standarde të dyfishta. Por me ta nuk pajtohet Zolltan Martinush i Këshillit të Ministrave të BE-së. Sipas tij, arsyeja është gjetkë, se BE-ja nuk i hoqi vizat për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën thjesht, sepse këto dy vende nuk kishin plotësuar kushtet e përcaktuara: nuk kanë pasaporta biometrike për të gjithë qytetarët e vet dhe nuk kanë siguruar një kontroll funksional në pikë-kalimet e veta kufitare. "Në B-H duket se e kanë të pamundur të përmbushin kushtet për liberalizimin e vizave, ndërkohë që këto kushte i ka vendosur BE-ja. Në këto kushte, vendimi që u mor nga BE-ja ishte krejtësisht faktik, pra teknik dhe jo politik", i deklaroi stacionit të njohur gjerman të mësipërm zyrtari i lartë i sipërpërmendur i Këshillit të Ministrave të BE-së, sipas të cilit dispozita e re për vizat është provë se strategjia e BE-së lidhur me këtë çështje është funksionale. "Ekziston bindja e përgjithshme se Shqipërisë dhe B-H-së vitin e ardhshëm do t‘u hiqen vizat. Por, sidoqoftë, ka ende punë për të bërë që kjo të jetë e sigurt. Këta vende po bëjnë hapa para që është rezultat i efekteve të kushteve që ka përcaktuar BE-ja. Për këtë arsye, mendoj se kjo është një diçka e mirë", tha ai.

Sidoqoftë, kritikët e vendimit të fundit të BE-së lidhur me heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit Perëndimor dhe mosheqjen e tyre për disa vende të tjera të këtij rajoni konsiderojnë se kjo taktikë e BE-së kërcënon zhvillimin e natyrshëm në rajon. Sreçko Latal i Grupit Ndërkombëtar të Krizës në B-H i bën thirrje BE-së që të taktizojë sa më pak politikisht dhe të veprojë sa më shumë praktikisht. "Në B-H

ka politikanë lokalë, të cilëve u shkon për shtat statuskuoja e krijuar. Por ndërkohë, situata sociale dhe ekonomike në vend po keqësohet gjithnjë e më shumë. Kjo është arsyeja se përse të gjithë tani i kanë sytë te bashkësia ndërkombëtare dhe kërkojnë që ajo të veprojë në praktikë. Nëse në drejtim të B-H-së dhe të pjesës tjetër të rajonit nuk ndërmerret asgjë lidhur me këtë çështje, atëherë kjo do të krijonte një situatë të rrezikshme", theksoi z. Latal.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›