KQZ: Do të përsëriten zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Nesrin Lushta, deklaroi se institucioni që ai drejton do të zbatojë vendimin për ripërsëritjen e zgjedhjeve për kryetarë komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Nesrin Lushta, deklaroi dje në RTK se votat me kusht duhet të hiqen fare. Por, sipas saj, rregullorja aktuale zgjedhore e kërkon që ky lloj votimi, që nuk përdoret në vendet e tjera, duhet të aplikohet edhe në rivotimin në tri komuna. Kreu i KQZ-së kërkoi që komisonerët që bënë shkelje të ndëshkohen, pasi siç tha ajo, ata janë fajtorë për abuzimet me votën. KQZ-ja nuk jep një datë se kur mund të jetë gati për zgjedhje sërish në Prizren, Gjilan dhe në Lipjan. Dy partitë në garë, PDK e LDK, e kanë pranuar verdiktin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa. Fundjavën e shkuar, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), ka marrë vendim të udhëzojë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që të urdhërojë përsëritjen e votimit në Komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, ku janë shënuar parregullsi në rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash.
Paneli i KZAP-it, i përbërë nga Osman Tmava, kryesues, Ymer Hoxha dhe Muharrem Shala, duke vendosur në lidhje me ankesat e parashtruara për parregullsitë në procesin e votimit për rrethin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, mori vendim që të pranohen ankesat e subjekteve politike. Kryetari i KZAP-it, Tahir Rrecaj, deklaroi se arsyet pse kanë marrë një vendim të tillë është sepse në bazë të fakteve të prezantuara nga palët ankuese, si dhe nga hetimet që janë kryer nga ana e komisionit janë konstatuar një varg parregullsish dhe se mund të ketë pasur mashtrime, falsifikime dhe gabime, të cilat e bëjnë procesin zgjedhor për këto tri komuna jo të vlefshëm. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së në Komunën e Prizrenit kandidati i PDK-së, Ramadan Muja, dhe ai i LDK-së, Hanefi Muharremi, kanë përqindje të barabartë të votave 50:50, derisa në Lipjan dhe Gjilan, po sipas rezultateve preliminare, kanë fituar kandidatët e PDK-së, Shukri Buja, përkatësisht Qemajl Mustafa. Ndërkaq, autoritetet ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë me tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat u fituan nga kandidatët shqiptarë, me një përqindje të vogël të votave. Situatë e ngjashme ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, por atëbotë u bë emërimi politik i kryetarëve të komunave. Vetë të zgjedhurit nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre. Semi Kelmendi është zgjedhur kryetar i Komunës së Zveçanit, komunë kjo në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Por, më shumë se një muaj pas zgjedhjeve dhe disa javë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kelmendi nuk e ka të qartë të ardhmen si kryetar i komunës. "Tani për tani s‘dimë asgjë. Po presim se çka do të vendosë qeveria", shprehet Kelmendi, të cilit, megjithëse është zgjedhur me një përqindje të vogël të votave, ligji ia lejon udhëheqjen e komunës. Legjislacioni aktual nuk parasheh prag të pjesëmarrjes në zgjedhje për të legjitimuar ndonjë kandidat si kryetar komune.