E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana dhe Prishtina, kontroll të përbashkët ajror

Kosova dhe Shqipëria së shpejti do të kenë një kontroll të përbashkët të trafikut të lartë ajror. Dje, dy ministrat e Telekomunikacionit, ministri i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, dhe ministri i Qeverisë së Shqipërisë, Sokol Olldashi, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit midis të dy vendeve, për bashkëpunimin në të ardhmen, në ofrimin e shërbimeve të kontrollit ajror, në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Ky memorandum do të hapë rrugët e mëtutjeshme të thellimi të bashkëpunimit për herë të parë mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kontrollit të trafikut ajror. "Pas një pune të shkëlqyeshme, që kanë bërë ekspertët tanë të aviacionit nga Kosova dhe Shqipëria, kemi arritur deri te nënshkrimi i një memorandumi tepër të veçantë dhe të rëndësishëm për të dy vendet tona", tha ministri Limaj. Në bazë të këtij memorandumi, Shqipëria merr përsipër të modernizojë edhe më tej sistemet e veta të navigacionit, në mënyrë që në bashkëpunim me kontrollin kosovar të trafikut ajror të ofrohet një shërbim profesional dhe i sigurt në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. "Fillimi i bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, është në linjë të përpjekjeve të NATO-s dhe të vendit tonë për t‘i implementuar zgjidhjet sa më të mira për hapjen e hapësirave të larta ajrore", theksoi Limaj, i cili shtoi se në këtë drejtim është duke punuar edhe me vendet e rajonit që të hapin rrugët e tyre për lëvizje të aeroplanëve mbi territorin e Kosovës. "Sipas statistikave të Eurokontrollit, me hapjen e hapësirave ajrore të Kosovës, do t‘i kemi mbi 450 fluturime në ditë që Kosovës do t‘i sillnin edhe përfitime të mëdha", tha ministri kosovar. Ministri i Telekomunikacionit të Shqipërisë, Sokol Olldashi, premtoi se marrëveshje të tjera bashkëpunimi në fushën e aviacionit do të ketë edhe në të ardhmen. "Kemi pasur një bashkëpunim të mirë gjatë këtyre muajve për të arritur një marrëveshjet të tillë, që është në interes të të dy shteteve. Kjo është edhe një dëshmi tjetër që tregon vullnetin shumë të qartë, që ekziston midis dy qeverive shqiptare, për të bashkëpunuar me hapa të shpejtë në realizimin e objektivave të përbashkëta", u shpreh Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›