E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, PE verifikon të dielën plotësimin e kushteve

Autori i Lajmit: S. Topi
Parlamenti Evropian verifikon plotësimin e kushteve nga Shqipëria për procesin e liberalizimit të vizave. Një përfaqësi e PE-së, e kryesuar nga shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, do të zbresë në Tiranë të dielën për të parë nga afër sesi i ka plotësuar Shqipëria kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. “Koha është shumë e rëndësishme ndaj po shkojmë dhe kaq shpejt pa lajmëruar në Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do të realizohej përpara pushimeve të verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet, ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, - u shpreh Kukan. Por, nëse vlerësimet e ekspertëve për Shqipërinë pritet të jenë pozitive, atëherë problemi qëndron tek BE. Për këtë arsye, i pyetur pse viziton Tiranën në këtë rast e jo Komisionin, Kukan ka pohuar se kërkon të shohë vetëm situatën në vend. “Përpara se të shkojmë te Komisioni, ne duam të shohim vetë situatën në vend, të flasim me personat përgjegjës, do të vizitojmë gjithashtu gjatë qëndrimit tonë atje, disa qendra kontrolli për çështjet teknike, në mënyrë që të kemi kështu më shumë peshë para Komisionit, prandaj”,- theksoi Kukan. Kryesuesi i Delegacionit tregoi se fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serbë në Evropë ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. “Fakti që mediat raportuan çështjen e azilkërkuesve nuk po e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kanë qëndrim të qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, - u shpreh Kukan. Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, holandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon. Vizita konsiderohet private për Parlamentin Evropian edhe pse me ftesë zyrtare të autoriteteve shqiptare. Eurodeputetët do të takojnë Kreun e Shtetit, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm, atë të Punëve të Brendshme si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›