Fakluteti i Filologjikut ndryshon tarifat e shërbimit
Studentët të cilët ndjekin studimet pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, tashmë me urdhrin më të ri që ka nxjerrë dekanati, pagesat për çdo lloj vërtetimi apo certifikate notash duhet të kryhen në bankë.
TIRANE- . Ndërkohë që studentët, kërkesën për vërtetimin që kanë nevojë duhet ta bëjnë pranë zyrës së informacionit, duke nisur nga ora 9:30 deri në orën 11:30, së bashku me mandatpagesën. Një tjetër pikë e urdhrit të nxjerrë nga dekanati i këtij fakulteti është se studentët që janë në proces studimi, nuk kanë të drejtë të marrin listë notash përpara se të mbarojnë studimet e tyre. Pra duhet të presin fundin e studimeve, që të mund të pajisen me një listë notash. Por veç burokracive të shumta studentëve do t'u duhet të paguajnë edhe më tepër lekë për këto shërbime, pasi krahas parave që do paguajnë për dokumentin që kërkojnë, ata duhet të paguajnë edhe komisionin e bankës ku duhet të kryejnë pagesën.
Urdhri
Gjatë javës së kaluar, studentët janë informuar nga kryesekretarja me urdhrin më të ri që ka nxjerrë dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Sipas këtij urdhri, studentët në lidhje me kërkesat për çfarëdolloj dokumentacioni që do marrin nga fakulteti, duhet të bëjnë paraprakisht kërkesë gjatë paradites në zyrën e informacionit dhe të kryejnë pagesën pranë 'Raiffaisen Bank', dhe ditën e nesërme pas orës 14:00 do të kenë të drejtën të mund të marrin dokumentin që ata kanë kërkuar. Por me këtë urdhër të ri, studentët jo vetëm që do shpenzojnë më shumë kohë për të marrë një vërtetim shkolle, listë notash, apo program të një lëndë të posaçme, por ata do të shpenzojnë edhe më shumë para. Nëse dikujt i nevojitet të marrë një certifikatë notash për herë të parë, do të paguajë vetëm 100 lekë, plus 100 apo 150 lekë komision në bankë, por nëse studenti do të shkojë të marrë një listë tjetër notash, atëherë nuk do të paguajë më 100 lekë por 5-fishin e kësaj shume, pra 500 lekë të reja. Ndërkohë që nëse dikush prej studentëve do të bëjë kërkesë për të marrë programin e lëndëve që ai do të studiojë në universitet, apo programin e specializimit, duhet të paguajë 1 mijë lekë të reja. Gjë që për xhepat e tyre është një shpenzim tepër i lartë. Sipas studentëve, ky urdhër është një gjë negative, pasi për një vërtetim shkolle duhet të presin dy ditë për ta marrë si dhe duhet të paguajnë edhe lekë për komisionin, pasi pagesat duhet të bëhen nëpërmjet bankës. Ndërkohë, një pjesë e studentëve nuk kanë qenë dakord me pikën ku thuhej që, ata studentë që s'kanë mbaruar studimet, nuk mund të marrin listë notash, gjë që sipas tyre nuk është aspak normale.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)