Konkursi dhe misteret për gradën komisar
Në bazë të urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku deklarohej se janë 60 vende të lira për gradën komisar, u zhvillua konkursi i 600 “nënkomisarëve”, të cilët kërkuan të ngrihen një gradë më lart. Ky konkurs u realizua ditën e shtunë, por ishte planifikuar të zhvillohej që në fillim të muajit maj. Pas konkursit, ku testimi ishte me shkrim dhe ishin përgatitur njëqind pyetje, u shpallën edhe fituesit. Nga të dhënat mësohet se çdo oficer konkurrues duhet të merrte të paktën 60 pikë për t’u kualifikuar. Vlerësimi i testit u bë me skaner, me qëllim që të mos kishte abuzime nga një komision i veçantë për gradat. Në përfundim u lexuan emrat e 60 fituesve dhe lista u shpall në ambientet e brendshme të ish-Akademisë së Rendit, ose siç quhet sot Qendra e Formimit Policor. Ditën e martë, në rrethana të pashpjegueshme, disa oficerë konkurrues, të cilët nuk kishin mundur të mblidhnin pikët e mundshme, janë telefonuar dhe u është deklaruar se kishin fituar konkursin. Telefonatat, pa asnjë transparencë, janë kryer për shumë veta dhe në orët e pasdites është mësuar se lista e fituesve kishte shkuar në 85 veta, duke ndryshuar renditjen, pavarësisht se nuk është afishuar në asnjë vend. Këtu kanë nisur reagimet e para të oficerëve të policisë për abuzimet që janë bërë ndaj tyre, duke u mohuar të drejtën e fitimit të gradës dhe duke futur në listë persona që nuk kishin plotësuar pikët e nevojshme dhe kanë kërkuar transparencë, ndërkohë që drejtuesit e policisë janë shprehur se është ngritur një komision rivlerësimi.
#