E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohej në Milano, kapet në Tiranë tutori i dhjetë prostitutave

Dosja Policia e kryeqytetit arreston Artur Dokon, të dënuar me shtatë vjet burg

Arrestohet në Tiranë shqiptari i kërkuar dhe i dënuar në Itali për akuzën e trafikut të vajzave për shfrytëzim prostitucioni. Burime nga Policia e Shtetit thanë se dje në mesditë është arrestuar shtetasi i kërkuar Artur Doko, 38 vjeç, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale trafik prostitucioni nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Policia ka njoftuar se i arrestuari është dënuar me shtatë vjet burg nga Gjykata italiane e Milanos për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Vendimi penal i dhënë nga gjykata italiane është sjellë në Shqipëri dhe pasi është përkthyer nga Prokuroria e Përgjithshme është dërguar në gjykatën shqiptare për njohjen e tij. Menjëherë pasi gjykata ka dhënë vendimin e saj, duke njohur dënimin e Artur Dokos në Itali, i kërkuari u arrestua nga policia dje në mesditë. Sipas burimeve policore, njoftohet se Artur Doko është akuzuar në Itali si anëtar i një grupi prej gjashtë personash të dyshuar për shfrytëzimin e disa vajzave për prostitucion. Policia tha në një deklaratë se dje në mesditë, nga një operacion i Strukturave të Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, i realizuar nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve dhe Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, u bë kapja e të shumëkërkuarit Artur Doko, 38 vjeç, banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, ky person akuzohet nga drejtësia italiane për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, të kryer në bashkëpunim në dëm të disa personave”. Ky dënim është njohur dhe nga drejtësia jonë dhe i shumëkërkuari akuzohet se gjatë periudhës së viteve 1998 deri në vitin 2001, ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Milano të Italisë, rreth dhjetë shtetase të shtetësive e kombësive, kryesisht kosovare, rumune, moldave dhe shqiptare. U konkludua se ky person u siguronte të dëmtuarave, apartamente dhe dokumente të falsifikuara qëndrimi në Milano të Italisë, ku nëpërmjet tyre realizonte dhe shfrytëzimin për qëllime përfitimi. Kapja e tij u mundësua në ambientet e një banese në Vorë dhe më pas është bërë ekzekutimi i vendimeve të gjykatës të dhëna në ngarkim të tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›