Lejuan ndërtime me rrezik, zjarrfikësit nën akuzë
Dyshimet për abuzime me dhënien e aprovimit për ndërtime të reja, si dhe hartimi i projekteve për pajisjen e lagjeve muzeore me mjete kundër zjarrit janë bërë shkak që organi i akuzës së rrethit të Beratit të nisë hetimet në Drejtorinë e Mbrojtjes Kundër Zjarrit dhe Shpëtimit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Rrethit Berat bëjnë me dije se ka nisur hetimi ndaj drejtorit të zjarrfikëses në këtë qytet, Skënder Vraka, si dhe ndaj disa specialistëve, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve.
Mësohet se Prokuroria e Rrethit të Beratit ka nisur këtë hetim pas shumë informacionesh të mbërritura në rrugë operative se Drejtoria e Mbrojtjes Kundër Zjarrit dhe Shpëtimit ka dhënë miratimin për ndërtime në zona që nuk lejohen. Kreu i organit të akuzës, Xhemal Saliaj, ka konfirmuar faktin e nisjes së hetimeve ndaj drejtorit të zjarrfikësve dhe specialistëve të këtij sektori, duke deklaruar se tashmë do të jenë hetimet ato që do të nxjerrin në dritë apo vërtetojnë dyshimet. Nëse vërtetohet një gjë e tillë dhe sigurohen prova bindëse, drejtori Vraka dhe specialistët e tjerë do të shkojnë për ndjekje penale. Saliaj konfirmoi se hetimet për drejtorin e zjarrfikëses që kanë nisur do të përqendrohen kryesisht në dhënien e miratimeve për ndërtime të reja, leje të cilat dyshohet se janë dhënë dhe në rastet kur nuk duheshin dhënë. Kreu i prokurorisë saktësoi se do të hetohen të gjitha lejet që janë dhënë gjatë vitit 2009 nga sektori i zjarrfikëses. Nga dyshimet e para mësohet se në shumë raste gjatë vitit të kaluar janë dhënë miratime për ndërtim dhe në ato raste kur masat e mbrojtjes ndaj zjarrit nuk ishin marrë ose nuk sigurohej siguria ndaj zjarrit. Saliaj shprehet se është ende herët për të folur në gjuhën e shifrave se sa leje të tilla janë dhënë dhe nëse është fituar financiarisht nga ana e drejtuesve për miratimet e dhëna, por deklaron se prokuroria është në momentin e hetimeve dhe sapo të përfundojë ky proces, do të veprohet konkretisht me akuzat dhe ndjekjet penale nëse vërtetohen abuzime. Mësohet se miratimet për leje ndërtimesh për aktivitete private janë dhënë kundër ligjit që parashikon mbrojtja nga zjarri duke u shkelur kriteret bazë për masat nga zjarri. Por, kreu i akuzës, Saliaj, deklaron gjithashtu se hetimet nuk janë përqendruar vetëm në miratimet për leje ndërtimi, por dhe te paraqitja e projekteve për mjetet mbrojtëse ndaj zjarrit nga ana e kësaj drejtorie. Kreu i Prokurorisë së Beratit ka shtuar se sektori i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi dyshohet se ka hartuar madje dhe disa projekte për mjete mbrojtëse në lagjet muzeore, gjë e cila nuk është në kompetencën e kësaj drejtorie. Do të jenë hetimet ato që do të hedhin më shumë dritë mbi dyshimet e ngritura nga organi i akuzës së Beratit.
#