E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Edi Rama injoron strukturat e PS-së, mban peng zgjedhjet e krerëve vendorë prej dy vjetësh

06-10-2012 / Gazeta 55

Edi Rama nuk mund të punojë apo bashkëpunojë dot me persona që janë jashtë oborrit të tij. Ndërsa këtë pjesë e ka vënë disi nën kontroll, vetëm për sa i përket kupolës së PS-së, ku ka zgjedhur me dorën e tij, deputetët dhe anëtarët e kryesisë që nuk i krijojnë kokëçarje, ndryshe qëndron puna me bazën. Mbledhja më e fundit e kryesisë së PS-së, e zhvilluar dje, evidentoi se ende pas rreth dy vjetësh, nuk ka përfunduar zgjedhja e drejtuesve e strukturave lokale të PS-së.
Falë konflikteve që baza e PS-së ka me qendrën e partisë, për shkak të mospranimit të diktatit të kryetarit Edi Rama, për zgjedhjen në krye të degëve lokale, të personave të emëruar prej tij, prej kohësh, degët e PS-së në disa qytete kryesore, kanë mbetur pa kryetarë.
Procesi i zgjedhjeve në parti për PS-në ka rezultuar më se i gjatë. Në këtë proces nuk bëhet fjalë për një proces të ri zgjedhor të strukturave partiake, por vazhdim të procesit të vjetër që nisi në shtatorin e vitit 2011, por që për shkak të problemeve që u hasën rrugës nuk mundën të përfundonin. Zgjedhjet e vonuara duhet të përfundonin dhe të finalizoheshin në Kongresin e 5 nëntorit të vitit 2011, por edhe pse u mbyll një pjesë, procesi rezulton i papërfunduar dhe do të jetë fundi i këtij viti që do e finalizojë atë.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti, pas shtyrjes së dytë, ndërsa duhet të mbyllej në shkurt të këtij viti, ende vazhdon të mbajë peng funksionimin e strukturave të PS-së. Mosmarrëveshjet në bazë, të cilat janë provokuar edhe nga kundërshtitë e tyre, për të pranuar të emëruarit prej Edi Ramës, për drejtues të strukturave lokale të PS-së, ka bërë që ky proces të dështojë në vitin 2011 dhe përfundimi i tij, të shtyhet deri në fundin e vitit 2012.
Kanë qenë ngjarjet e fundit në Sarandë, ku Edi Ramës edhe gratë i dolën nga kontrolli, që kanë shtyrë dje kryesinë e PS-së të vendosë afatet përfundimtare për zgjedhjen e kandidaturave që do t’i delegohen asambleve socialiste në bashkitë përkatëse, siç është Vlora, Delvina, Peqini, etj, për të zgjedhur kryetarin e ri. Për të arritur deri këtu, mësohet se në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS-së, plotësimi i vendeve vakante në krye të PS-së në këto qytete, të konsiderohet një proces i detyrueshëm për t’u mbyllur nga strukturat e kësaj partie dhe përfaqësuesit e PS-së të deleguar në zonat përkatëse. Ultimatumi, nënkupton që strukturat lokale të PS-së, duhet të pranojnë “të përkëdhelurit” e Edi Ramës, për në krye të strukturave lokale të tyre.
Nga ana tjetër, mbledhja e djeshme e kryesisë, zbuloi edhe një anë tjetër, atë injorimit që Edi Rama, i bën strukturave të PS-së edhe në qendër, duke e bazuar punën dhe bashkëpunimin e tij, në emra të përveçëm, të cilët kanë apo s’kanë lidhje me strukturat drejtuese. Kryesia e PS-së e mbledhur dje dhe Asambleja Kombëtare e saj, paralajmëruar të mblidhet në ditët e ardhshme, janë dy strukturat qendrore të PS-së, të injoruara prej Edi Ramës, duke mos u mbledhur prej kohësh. Ndërsa Statusi i PS-së, e ka përcaktuar qartë, mbledhjen dhe funksionimin e tyre, këto dy forume nuk thirren prej kohësh. Ndërsa Asambleja Kombëtare e PS-së nuk është thirrur që nga fundi i muajit prill të këtij viti, kryesia nuk është thirrur që prej fillimit të këtij viti.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›