E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i PD/Skandali i reklamave iu kthye Edi Ramës në bumerang

06-10-2012 / Gazeta 55

Partia Demokratike deklaroi dje përmes zëdhënëses, Silvi Bardhi, se “i ashtuquajturi “skandal” i reklamave duket se është kthyer në një bumerang për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama”.
Ajo tha se po dalin fakte të reja sesi u kurdis ky “skandal”, për të fshehur skandalet me protagonist kryetarin e opozitës, ish kryetar i bashkisë së Tiranës.
“I ashtuquajturi ‘skandal’ i reklamave duket se është kthyer në një bumerang për kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Gjatë ditëve të fundit, në media kanë dalë fakte të reja interesante për mënyrën se si u kurdis ky gjoja ‘skandal’, por edhe për mënyrën se si z. Rama përmes tij u përpoq në fakt të fshihte një skandal, këtë radhë të vërtetë dhe që ka për protagonist vetë kryetarin e opozitës dhe klientët e tij ekonomikë dhe politikë”, u shpreh Bardhi.
Sipas saj, për hir të transparencës ndaj publikut, Edi Rama duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve që prej ditësh kanë mbetur pa përgjigje.
“A është i vërtetë fakti që Edi Rama gjatë 11 viteve në krye të Bashkisë ka favorizuar në  mënyrë klienteliste vetëm gazetën ‘Shekulli’, ‘Gazetën Shqiptare’ dhe Gazetën ‘Shqip’? A është e vërtetë që spotet e Bashkisë së Ramës janë prodhuar dhe shpërndarë nga e njëjta kompani me bashkëpronar mikun e z. Rama, Edi Muka? A është e vërtetë se shtatë spote i janë dhënë motrës së Arbi Maznikut, këshilltar i z. Rama? A ka interesa ekonomike të fshehura pas përpjekjes së z. Rama për të ngritur këtë pseudoskandal? A është z. Kokëdhima i lidhur me këto interesa? A është e vërtetë që z. Rama ka fshirë nga regjistrat fiskalë të Bashkisë 1.2 miliardë lek detyrime të 14 kompanive të z. Kokëdhima? Sa është shuma e tenderëve që i janë dhënë  z. Kokëdhima nga Bashkia e Tiranës. Këto dhe të tjera janë pyetje që z. Rama prej ditësh nuk po u përgjigjet. Nuk po bën as ciu!”, vijoi Bardhi.
Sipas PD, Rama është mjaftuar deri tani me një fshehje në Tëitter, duke mos dhënë asnjë përgjigje, por duke thënë thjesht që ministrat e Berishës gënjejnë. “E ftojmë z. Rama të mos fshihet pas gjethes së Twitter-it, por të dalë përpara kamerave dhe t’u japë përgjigje pyetjeve. Nëse zotit Rama i ka ngrënë Koço gjuhën, përgjigjet për të gjitha pyetjet, do t’ia japim ne publikut në vijimësi”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›